Gazeta Si – “Çështja territoriale” është hapi kyç në negociatat e mundshme mes Donald Trump, Vladimir Putin dhe do të shihet se me çfarë peshe, Volodymyr Zelenskit. Gjithçka nisur nga skenari i zhvilluar në fushën e betejës, pas përplasjeve të furishme dhe të përgjakshme.
Por për të kuptuar evolucionin e hartës, duhet të kthehemi 11 vjet më parë, në fillimin e pushtimit rus të Ukrainës.
Në ditët e fundit të shkurtit 2014, ushtarët rusë u nisën nga baza detare e Sevastopolit dhe filluan të pushtojnë gadishullin e Krimesë: 25.961 kilometra katrorë, e barabartë me 4.33% të sipërfaqes totale të Ukrainës.
Kjo është përgjigja e parë e Putinit ndaj protestave në sheshin “Maidan”, të cilat në Kiev, më 22 shkurt të atij viti, kishin bërë që presidenti Viktor Janukoviç të arratisej.
Disa javë më vonë, grupe të milicëve pro-rusë nga dy qytete në Donbass, Donetsk dhe Luhansk, u rebeluan dhe shkaktuan një seri incidentesh gjithnjë e më të rënda.
Derisa mbërritën përforcime nga Moska: armë të rënda dhe ushtarë pa shenja dalluese, të ashtuquajturit “beretat e gjelbërta”.
Në atë moment fillon lufta e vërtetë midis Rusisë dhe Ukrainës. Objektivi i Putinit është të pushtojë brezin që kalon përgjatë Detit Azov për të lidhur Donbasin me Krimenë dhe nëse është e mundur të arrijë deri në Odesë.
Por rezistenca ukrainase, e udhëhequr nga presidenti Petro Poroshenko, arrin të bllokojë avancimin e armikut. Diplomacia evropiane pastaj lëviz. Kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez François Hollande nisën të bëjnë presion mbi Kremlinin.
Më 5 shtator 2014, u arrit e para nga dy Marrëveshjet e Minskut. Pjesa e parë ndalon në një vijë që i përgjysmon “oblast”-et, rrethet e Donetskut dhe Luhanskut.
Rusia, pra, kontrollon 25,961 kilometra katrorë, një shtrirje pak më e madhe se rajoni i Lombardisë në Itali, e barabartë me afërsisht me 7% të sipërfaqes së Ukrainës.
Marrëveshjet e Minskut përcaktuan se qeveria e Kievit do të duhej të organizonte zgjedhje të posaçme në rajonet e pushtuara nga Rusia dhe të nesërmen të rifitonte sovranitetin mbi kufijtë e jashtëm të Donbasit.
Asnjë nga këto nuk ndodhi. Në të vërtetë, përleshjet e armatosura vazhduan, pak a shumë me intensitet të ulët, deri më 24 shkurt 2022, kur një kolonë e pafund tankesh ruse kaluan kufirin në veri të Kievit. Në këto tre vite konflikti ka përjetuar faza të alternuara, me sulme dhe kundërsulme nga të dyja palët.
Sot, siç dokumentohet nga të dhënat e mbledhura nga Instituti për Studimin e Luftës, (me qendër në Uashington), ushtria e Putinit zë rreth 120 mijë kilometra katrorë në katër rajone që shkojnë nga jugu në lindje: Kherson, Zaporizhia, Luhansk dhe Donetsk.
Bëhet fjalë për pothuajse 20% të Ukrainës. Putini, megjithatë, kërkon aneksimin e plotë të katër rajoneve: nëse ia del, kjo do të arrinte në rreth 131 mijë kilometra katrorë, një zonë sa madhësia e Greqisë.
Pas shtytjes fillestare, përparimi rus ngeci në muajt e fundit të vitit 2022, duke rifituar vrullin në vitin 2023 dhe duke u përshpejtuar në 2024-ën.
Zelenski reagoi me një lëvizje të befasishme: mësymja në rajonin rus të Kurskut, pak përtej kufirit lindor të Ukrainës.
Këtu shifrat janë kontradiktore. Kievi pretendon se zotëron rreth 1.300 kilometra katrorë. Por llogaritja do të përfshijë gjithashtu “tokën e askujt”, ku luftimet vazhdojnë ende. Sërish sipas Institutit për Studimin e Luftës, ukrainasit, në realitet, kanë vetëm 482 kilometra katrorë.
Ky nuk është ndryshim i vogël, duke qenë se Putini është i vendosur ta marrë gjithsesi atë pjesë të kombit rus.
Kremlini nuk dëshiron t’i japë Zelenskit ndonjë avantazh në negociatat që ndoshta mund të fillojnë me ndërhyrjen e presidentit amerikan Donald Trump.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




