Nga Gazeta ‘Si’ – Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë me gazetarët, Berisha tha sipas tij se kryeministri Edi Rama është trembur deri në palcë nga arrestimi i Veliajt dhe po bën gjithçka për të treguar se nuk ka gisht në këtë aferë.
“Unë e pashë sot Edi Ramën siç e patë ju, kur i erdhi në gojë fjala e konsulentit, që këtë e quante punëtor i Trump, shkallmoi dhe e humbi dhe iu kthye me grushte tavolinës. E vetmja gjë që thashë në atë moment, shyqyr Zotit nuk ka ndonjë grua aty që të hajë grushtet e tij.
I hëngri ato grushte tavolina, po mirë e boll, i bëfshin mirë se po të ishte ndonjë ministre a ndonjë tjetër, kushedi se çfarë do ndodhte.
Këto gjeste të tij janë të njohura, nuk janë risi. Edi Rama, pas arrestimit të numrit 2 të PS-së, bëri gjithçka nga njëra anë i terrorizuar dhe i trembur gjer në palcë nga Erion Veliaj, të tregojë se është duarjashtë në këtë aferë, se nuk ka gisht në këtë aferë. Po këtu të ndalemi pak. Nuk kishte hallin e Erion Veliajt, kishte hallin e tij”.
Sipas kreut demokrat, konsulenti Chris LaCivita, zgjodhi PD-në për të vazhduar betejën kundër Sorosit dhe ekstremit të majtë të tij. Berisha thekson se vendimi i tij ishte një akt politik.
“Çdo shqiptar duhet ta ketë të qartë se Chris LaCivita në kërkesën planetare që ekziston, në qindra kërkesa nga i gjithë planeti, që ekzistojnë për të bashkëpunuar me të, ai fisnikërisht zgjodhi Partinë Demokratike të Shqipërisë. Zgjodhi PD-në jo rastësisht. Për kryetarin e Komitetit Kombëtar Republikan dhe Partinë Republikane që ai përfaqëson, Edi Rama është një kukull e Xhorxh Sorosit.
Dhe ai, që ta kemi shumë të qartë, erdhi këtu për të vazhduar betejën që fitoi në SHBA, kundër Sorosit dhe ekstremit të majtë të tij. Pra, ishte një akt kryekëput politik pasi i prenë kokën gjarprit në Uashington, duhet t’ia presin tentakulat kudo, dhe në Shqipëri ato ishin dhe janë më të zhvilluara se në asnjë vend tjetër”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




