Ka ndodhur

Pesë të arrestuar për grabitje dyqanesh dhe vjedhje makinash në Lezhë e Sarandë

Gazeta Si – Pesë persona janë arrestuar në Lezhë dhe Sarandë, të akuzuar për vjedhje makinash dhe grabitje dyqanesh e vlerave të ndryshme monetare.

Në Lezhë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Shades”, Sokol Pali 52 vjeç dhe Marjan Kelaj, 51 vjeç, banues në Shkodër, u vunë në pranga, pasi ditën e hënë, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje, shuma parash, pajisje pune dhe produkte të ndryshme, në 2 dyqane në fshatin Blinisht dhe në 1 servis në fshatin Dajç.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore, janë zbardhur 6 raste të vjedhjes në banesa, të kryera më parë nga këta shtetas.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sende të dyshuara të përdorura për kryerjen e vjedhjeve dhe sende të dyshuara të vjedhura.

Ndërkohë, tre të rinj, janë arrestuar, ndërsa një 19 vjeçar është shpallur në kërkim për disa vjedhje në Sarandë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 4 motomjete në qytetin e Sarandës, të cilët më pas i kanë transportuar në Delvinë, për t’i modifikuar dhe për t’i shitur. Në vijim të veprimeve, u sekuestruan 2 motomjete të vjedhura dhe një automjet që dyshohet se shërbente për realizimin e vjedhjeve.

Gjithashtu në pranga u vu edhe një 24 vjeçar, pasi Gjykata e Sarandës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, kryer më shumë se një herë”, me akuzën për tentativë për vjedhje në 2 banesa.

Nga hetimet e kryera dyshohet se ky shtetas, gjatë kohës që ka qenë në kërkim, ka kryer 3 vjedhje të tjera (të bagëtive të imta), në fshatrat Janar dhe Zminec.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë