Nga Gazeta ‘SI’ – Më shumë se 423 miliardë lekë qarkullojnë jashtë sistemit bankar në Shqipëri.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2024, paraja jashtë bankave ka arritur një nivel rekord me një rritje të fortë në raport vjetor edhe mujor. Nga nëntori në dhjetor, ky tregues është rritur me 18 miliardë lekë dhe nga dhjetori 2023 me 30 miliardë lekë.
Nxitimi i qeverisë për të përmbushur programin e shpenzimeve publike në fund të vitit është faktori kryesor i rritjes së parasë në qarkullim. Sezoni i festave po ashtu ka shtuar transaksionet në cash.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në dhjetor 2024, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me rreth 40 mld lekë nga nëntori dhe raportohet 845 mld lekë.
Me rritje raportohet edhe treguesi i parasë së gjerë, ose siç njihet ndryshme Agregati M3, që përfshin paratë në qarkullim jashtë sistemit të korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve, plus të gjitha depozitat e llogaritë në valutë të jorezidentëve. Për muajin dhjetor, paraja e gjerë arriti vlerën më të lartë në 1.785 trilionë lekë, nga 1.742 trilionë lekë që ishte në muajin nëntor.
Agregati M2, ku përfshihen paratë jashtë korporatave depozituese, plus depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, është rritur me 41 miliardë lekë brenda një muaji duke prekur vlerën e 1.05 trilion lekëve, nga 1.01 trilionë lekë, që ishte në nëntor.
Shifrat rekord të parasë cash janë prej kohësh shqetësim i qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, të cilat po tentojnë kufizimin e tyre. Bankat kanë propozuar vendosjen e një limiti për pagesat në cash, deri në 700 euro, si për individët dhe për bizneset.
Një udhëzim i fundit i Ministrisë së Financave duket se e hedh poshtë këtë propozim, pasi vlerëson si transaksione me risk ato që kalojnë vlerën e 100 mijë lekëve të reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



