Ne rrjet

E treta e vërteta? A do të funksionojë këtë herë skema e kampit në Gjadër

Përpjekja e Italisë për të strehuar emigrantët në Shqipërinë shtet joanëtar të BE-së ndërkohë që shqyrton kërkesat e tyre për azil ka dështuar tashmë dy herë. A do të funksionojnë gjërat për qeverinë e Giorgia Melonit këtë herë?

Në orën 7:30 të mëngjesit të së martës, anija e marinës italiane Cassiopeia mbërriti në portin shqiptar të Shëngjinit.

Në bord ishin 49 emigrantë që kishin shpresuar të fillonin një jetë të re, më të mirë në Evropë, por ishin shpëtuar gjatë rrugës për në BE nga marina italiane në ujërat ndërkombëtare pranë Lampedusa-s.

Pavarësisht dy përpjekjeve të dështuara tetorin dhe nëntorin e kaluar, qeveria italiane e kryeministres Giorgia Meloni është ende e vendosur të përpunojë kërkesat për azil emigrantësh në Shqipëri, e cila nuk është anëtare e BE-së.

Kur anija u ankorua të martën, ishte e paqartë nëse emigrantët e sapoardhur do të qëndronin në Shqipëri për një kohë të gjatë.

Pesë u kthyen menjëherë në Qendrën e Azilkërkuesve në Bari, Itali, në bordin e Cassiopeia pasi kontrollet paraprake identifikuan katër të mitur dhe një të rritur të pambrojtur, i cili u konsiderua viktimë e trafikimit.

Vendim i shpejtë për kërkesat për azil në Itali

Emigrantët e mbetur, kryesisht burra nga Bangladeshi, Egjipti, Gambia dhe Bregu i Fildishtë u shoqëruan nga policia në kampin Gjader, ku është ngritur një qendër për t’i akomoduar ata, ndërsa kërkesat e tyre për azil po shqyrtoheshin.

Të enjten, Gjykata e Apelit në Romë refuzoi kërkesat për azil të 43 prej emigrantëve. Tashmë ata duhet të qëndrojnë në kampin e Gjadrit dhe kanë shtatë ditë kohë për të ankimuar vendimin e gjykatës.

Një kërkesë për azil u pranua dhe emigranti në fjalë do të kthehet në Itali.

Siç prisnim, raporton Komiteti për Azilin dhe Emigracionin, rezultatet e kërkesave për azil ishin të gjitha negative, sepse ato u konsideruan “qartësisht të pabazuara”. Vetëm një person nuk u refuzua, dhe do të dëgjohet në procedurë të zakonshme, pasi ai ishte me probleme shëndetësore.

Dy përpjekje të dështuara

Pavarësisht vendimit të së enjtes për aplikimet e emigrantëve, aktualisht është e pamundur të thuhet nëse skema e qeverisë italiane për strehimin e emigrantëve në Shqipëri mund të zbatohet sipas planit.

Në nëntor 2023, qeveritë e Italisë dhe Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje që i lejoi Italisë të ndërtonte dhe të drejtonte dy kampe në tokën shqiptare për të strehuar emigrantët meshkuj për deri në katër javë.

Sipas marrëveshjes së vitit 2023, Shqipëria do të jetë në gjendje të strehojë në çdo kohë rreth 3000 emigrantë në kampin e Gjaderit. Gjatë një viti, kjo mund të nënkuptojë se deri në 36,000 emigrantë do të dërgohen në Shqipëri.

Dy përpjekjet e mëparshme të Italisë dështuan. Në tetor, 16 azilkërkues u kthyen në Itali. Një histori e ngjashme ishte edhe në javën e parë të nëntorit, kur një gjykatë në Romë urdhëroi kthimin e shtatë emigrantëve në Itali më pak se 48 orë pas mbërritjes së tyre në kampin e Gjaderit.

Që kërkesa për azil ose mbrojtje ndërkombëtare e një personi të trajtohet nga Italia ndërsa aplikanti ndodhet në Shqipëri, vendi i origjinës së emigrantit duhet të konsiderohet “i sigurt”.

Duke cituar ligjin evropian, gjyqtarët në Romë argumentuan se një vend i origjinës nuk mund të konsiderohet “i sigurt” nëse pjesë të atij vendi nuk janë të sigurta, duke përfshirë për grupe të caktuara njerëzish, si disidentët politikë ose anëtarët e komunitetit LGBTQ+.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë pritet të vendosë për këtë çështje më 25 shkurt.

A do të funksionojë modeli shqiptar?

“Ka raste kur individët mund të vijnë nga ‘vendet e sigurta’, por rrethanat e tyre personale mund t’i bëjnë ata të kualifikohen për azil në një vend të caktuar,” thotë Ledion Krisafi, ekspert në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Në përpjekje për të mbrojtur atë që njihet si “modeli shqiptar”, qeveria e Melonit iu përgjigj vendimit duke përditësuar listën e vendeve që Italia i konsideron të sigurta për riatdhesim.

“Në këtë aspekt, duket se nuk ka asnjë problem real as me vetë marrëveshjen, as me procedurat. Problemi duket se është një mosmarrëveshje ligjore për standardet dhe procedurat e Italisë dhe BE-së në këtë rast”, thotë Krisafi.

Mbështetje lokale për kampin

Ndërtimi i kampit në fshatin Gjadër u prit me optimizëm nga komuniteti vendas. Shumica e familjeve në rajonin përreth varen nga të ardhurat nga bujqësia ose nga remitancat, kështu që kampi nënkupton vende të reja pune për ta.

“Njëzet e dy gra dhe nëntë burra nga Gjadri dhe zonat përreth janë punësuar në kamp”, thotë Aleksander Preka, kryetar i njësisë administrative Gjadër.

Preka, i cili është 65 vjeç ka një dyqan ushqimesh në qendër të fshatit dhe thotë se puna rritet sa herë që anijet italiane sjellin emigrantë. Megjithatë, deri më tani, kampi ka mbetur kryesisht bosh.

Si rezultat, shumica e punëtorëve janë paguar vetëm me gjysmën e pagës së tyre.

“Shpresojmë që kampi të funksionojë siç duhet sepse duam të përmirësohet mirëqenia e njerëzve në zonë”, tha Preka për DË.

Kritikët presin vendimin nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë

Por jo të gjithë në Shqipëri e ndajnë këtë shpresë. Kritikët e marrëveshjes, për shembull, u lehtësuan nga vendimi i gjykatës italiane vitin e kaluar dhe nuk pati asnjë protestë përpara mbërritjes së grupit të tretë të emigrantëve të martën.

“Ne vazhdojmë ta kundërshtojmë marrëveshjen, pasi e konsiderojmë shkelje të të drejtave të njeriut”, tha një nga protestuesit që së bashku me një grup aktivistësh e kanë kundërshtuar marrëveshjen që në fillim.

“Shpresojmë që Gjykata Evropiane e Drejtësisë të vendosë kundër tij. Nëse jo, ne do të rifillojmë protestat tona,” tha ai për DË.

A do ta zbusë marrëveshja rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE?

“Unë mendoj se kjo marrëveshje është një shfaqje. Nuk e zgjidh problemin e emigracionit të parregullt në Itali. Ajo është krijuar për t’i treguar publikut italian se qeveria po bën diçka për këtë çështje të ndjeshme”, thotë Krisafi. “Megjithatë, ky zhvillim shënon një kapitull të ri për Shqipërinë në trajtimin e çështjeve të emigracionit”.

Shqipëria filloi negociatat e anëtarësimit në BE tetorin e kaluar, në një kohë kur blloku dukej i vendosur për të rritur masat e tij kundër emigracionit të parregullt.

Në Këshillin Evropian tetorin e kaluar, liderët e BE diskutuan ngritjen e të ashtuquajturave “qendër kthimi” sipas modelit shqiptar në vendet jo anëtare të BE-së, si një mënyrë për të menaxhuar fluksin e refugjatëve. Këto qendra do të përdoren për të strehuar emigrantët, aplikimet e të cilëve për azil në BE u refuzoheshin ndërsa ata presin deportimin në vendin e tyre, për sa kohë që ai vend konsiderohet i sigurt.

“Me këtë marrëveshje, Shqipëria ka shprehur gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, edhe për çështje që nuk e prekin drejtpërdrejt. Nëse kjo marrëveshje dështon apo jo, edhe pse në fund të fundit mund të mos funksionojë në praktikë, Shqipëria e ka arritur qëllimin e saj. Shqipëria ka bërë pjesën e saj”, thotë Krisafi.

Burimi: DW. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë