Ka ndodhur

Gjendet një trup i pajetë në Lumin e Shalës, dyshohet se është i të dënuarit me 25 vite burg për vrasje të dyfishtë

Gazeta Si – Një trup i dekompozuar është gjetur ditën e diel në Shkodër, në zonën “Lugina e Blinit” në Koman. Në një njoftim të policisë për mediat, thuhet se trupi i pajetë i përket një mashkulli.

Grupi hetimor është duke punuar për identifikimin e kufomës dhe shkakun e vdekjes, por sipas burimeve paraprake, bëhet fjalë për Nik Tonaj, i dënuar me 25 vite burg në mungesë, për vrasjen e çiftit Nik dhe Lula Pjollaj më 13 korrik të vitit 2003 për gjakmarrje në zonën e Dikagjinit.

Sipas burimeve të tij, policia e Shkodrës është njoftuar mesditën e djeshme se një trup i pajetë ka dalë në sipërfaqen e ujit, ndërkohë që ditën e sotme u dha njoftimi për shtyp.

Efektivët e policisë u nisën me shpejtësi drejt lumit të Shalës për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit të pajetë.

Pas disa orëve kërkime, ata kanë arritur ta lokalizojnë dhe të nxjerrin. Deri në këto momente nuk është konfirmuar shkaku i vdekjes së tij, nëse kemi të bëjmë me vrasje kriminale, apo arsye të tjera.

Trupi i viktimës është nisur në drejtim të Tiranës për t’iu bërë autopsia dhe ekspertiza mjekoligjore. Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga ana e Institutit të Mjekësisë Ligjore për identitetin e të ndjerit, por policia dhe Prokuroria e Shkodrës nëpërmjet informacioneve operative kanë dyshime të forta se bëhet fjalë për shumë të kërkuarin.

Gjakmarrja mes dy familjeve Tonaj-Pjollaj vijoi pas vrasjes së dyfishtë në 2003, kur Lush Pjollaj, mori hak për prindërit e tij në vitin 2012, duke vrarë vëllain e Nik Tonajt, Marash Tonaj. Lush Pjollaj u arrestua pas një arratie 7-vjeçare në vitin 2019 nga forcat speciale.

Vrasja në atë kohë u mor përsipër edhe nga vajza e çiftit, Lena Pjollaj, e cila tha se mori gjakun e prindërve të saj, pasi shteti për 9 vjet në atë kohë nuk mundi të kapë autorin, i cili vijon ende të jetë në arrati, Nik Tonaj.

Sips policisë, krimi është bërë në bashkëpunim nga motër e vëlla, Lena dhe Lush Pjollaj, ndërsa motra e tij ndodhet në burg prej vitit 2012.

Konflikti mes dy familjeve Pjollaj dhe Tonaj ka nisur për vijën e ujit për vaditje ku dy palët pretendonin të kishin radhën e vaditjes.

“Ditën e djeshme, në vendin e quajtur “Lugina e Blinit”, në lumin e Shalës, është gjetur një kufomë e seksit mashkull, në fazat e hershme të dekompozimit. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e kufomës, përcaktimin e shkakut të vdekjes dhe sqarimin e rrethanave të rastit”, njofton policia sot.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë