Realitetet në futboll lëvizin shpejt dhe nuk mund të jetosh me kujtimet e një fitoreje e as të vajtosh për një humbje. 17 golat e raundit të 21 i përkasin të shkuarës dhe skuadrat në periudhë merkatoje, kanë filluar të mendojnë edhe për fundjavën që vjen me raundin e 22. Shumë i rëndësishëm në çdo sfidë pasi jo vetëm vë përballë “Big4” – skuadrat që po dominojnë. Por në të njëjtën kohë, ato që luajnë për mbijetesë do të provojnë të marrin pikë të rëndësishme ndaj njëra-tjetrës.
Derbi kryeqytetas mes Partizanit dhe Dinamo City-t do të luhet të shtunën në orën 16:30 në impiantin “Arena e Demave”. Të kuqtë dhe blutë kanë pikë të barabarta në dy vendet e para dhe ndahen nga 1 gol më shumë që ka shënuar Partizani. Pak më shumë se pas 24 orësh nga sfida në kryeqytet, në “Loro Boriçi” do të ndeshen Vllaznia dhe Egnatia. Vendasit kanë një pikë më shumë se fituesit në fuqi të çdo kompeticioni futbollistik. Jo vetëm kaq, por Egnatia ka qënë më shumë aktive se Vllaznia dhe në merkato. Por për një pasdite të vetme, fjalën e merr fusha dhe Balaj është shpresa e kuqebluve për tu shkëputur më shumë se 1 pikë nga të gjelbrit.
Raundi i 22 fillon në orën 13:30 të shtunën në “Adush Muça” të Ballshit, atje ku vendasit e Nevil Dedes kërkojnë fitoren e 3 rradhazi për vitin 2025 dhe të dytën në shtëpi pas Dinamo City-t. Bylis vjen pas fitores në Laç, ndërsa Tirana (e shkuara e Dedes në fushë dhe stol) do të zhvillojë të parën ndeshje nën drejtimin e të kthyerit Shkëmbi. Nuk është hera e parë që klubi bardheblu bën prapakthehu në vendimet e tij por koha do të tregojë nëse ka vepruar drejt ose jo. E shtuna mbyllet në stadiumin “Skënderbeu” ku vendasit në vështirësi presin Teutën nga e cila i ndajnë 7 pikë. Kjo është e para sfidë pa Rashicën që u largua për 800 mijë euro pas ndeshjes me Vllazninë. Ndërsa të dielën në orën 17:00, AF Elbasani pret Laçin. Skuadra që në raundin e 21 pësuan nga 3 gola dhe do të provojnë të kthehen sa më shpejt te rezultatet pozitive.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.