Para

Bankat miratuan më shumë kredi për banesa në fund të 2024-s. Pritet rritje edhe në 2025-n

Nga Gazeta ‘SI’ – Edhe pse Banka e Shqipërisë ka kërkuar moderim të kredisë për banesa, bankat tregtare në vend kanë miratuar më shumë të tilla.

Sipas anketës, për tremujorin e fundit të vitit, bankat refuzuan më pak kredi, duke vlerësuar të ardhurat e individëve dhe historikun e kreditit të tyre.

Vetëm një bankë ka shtrënguar kushtet e kreditimit gjatë periudhës, ndërsa të tjerat i lehtësuan.

Faktorët që ndikuan në shtrëngimin e kushteve e termave të kreditimit ishin toleranca më e ulët ndaj rrezikut, kostot dhe kufizimet më të larta nga bilanci, si edhe perceptimi i rrezikut. Konkurrenca e shtuar në sistemin bankar pati ndikim lehtësues tek kushtet e termat e kreditimit për individët.

Bankat tregtare presin që edhe për fillimin e 2025-s, kërkesa për kredi të jetë e lartë, si për financimin e konsumit, ashtu edhe për blerjen e banesave.

Për bizneset, bankat kanë shfaqur tolerancë më të ulët rreziku, por vazhduan financimin e tyre. Kërkesa për kredi e bizneseve u raportua në rritje edhe në tremujorin e fundit të vitit 2024. Kërkesë e lartë për kredi u raportua si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë.

Shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e lartë në tremujorin e katërt, ndikuar nga politikat e bankave lidhur me kolateralin, pasqyrat financiare të bizneseve, perceptimi më i ulët i rrezikut nga ana e bankave mbi të ardhmen e sektorit ku operojnë bizneset, si edhe elementet e lidhura me historikun e kreditit të bizneseve.

Kërkesa për kredi e bizneseve pritet të rritet edhe në tremujorin e parë të vitit 2025, si në segmentin e biznesit të vogël e të mesëm, ashtu edhe në atë të biznesit të madh, si edhe në financimin e investimeve. Në mbulimin e nevojave për likuiditet kërkesa pritet të jetë disi më e ulët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë