Treg

Si reaguan bursat ndaj rikthimit të Trump / Rritet ari dhe dollari, bie çmimi i naftës

Tregjet botërore u luhatën ndërsa Donald Trump u rikthye në Shtëpinë e Bardhë.  

Presidenti Trump nuk i vendosi menjëherë tarifat, siç kishte premtuar, por tha se po mendon të vendosë 25% për importet nga Kanadaja e Meksika, nisur nga 1 shkurti. Dollari amerikan u forcua kundrejt shumicës së valutave të tjera.

Kështu dollari kanadez dhe pëso meksikane pësuan një rënie kundrejt monedhës amerikane, ndërsa aksionet europiane ranë. Euro, e cila ka peshën më të madhe në indeksin e dollarit, ra me rreth 0.5 për qind kundrejt monedhës së gjelbër në 1.04 dollarë. Sterlina ra me 0.3 për qind në 1.23 dollarë pas një rritjeje prej 0.8 për qind një ditë më parë.

Tregjet amerikane u mbyllën të hënën, kështu që reagimet e para për kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë u ndjenë gjatë tregtisë aziatike dhe europiane, që raportuan rënie.

Ari u rrit me 0.6% në 2.722 dollarë për onz, duke arritur nivelin e tij më të lartë që nga 6 nëntori dhe duke iu afruar nivelit më të lartë të të gjitha kohërave prej 2.790 dollarësh të vendosur në tetor.

Nga ana tjetër, çmimi i naftës ra pas betimit të Trump. Nafta e Teksasit ra me 1.7%, në 76.58 dollarë.

Ekspertët kanë paralajmëruar se tregjet do të reagojnë ndaj sektorëve dhe vendeve që do të preken nga tarifat, kështu që pritet një lëkundje në bursa, specifikisht tek ato europiane.

“Është bota e Trump dhe ne të gjithë thjesht po jetojmë në të – dhe tregjet do të duhet të mësohen përsëri me këtë. Mendoj se luhatjet e monedhave ju tregon një histori më të qartë rreth rreziqeve të luftës tregtare dhe sinjalet janë mjaft të dukshme – tarifat nënkuptojnë një dollar amerikan më të fortë për shkak të çmimeve më të larta të importit dhe rritjes më të dobët globale, pa tarifa do të thotë tregti më e fortë globale dhe një sfond më të fuqishëm të rritjes globale.”

“Ashtu si administrata e parë e Trump, tregjet janë shumë të ndjeshme ndaj rrezikut kryesor, veçanërisht kur lidhet me luftërat tregtare” thotë Kyle Rodda, analist në Capital.com.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë