Nga Gazeta ‘Si’- Janë zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, homazhet për 4 viktimat e 21 Janarit.
Familjarët e 4 viktimave, Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, kanë vendosur karafila të kuq në vendet ku u qëlluan për vdekje. Së bashku me familjarët e të ndjerëve ishin dhe përfaqësues të qeverisë dhe Partisë Socialiste, e cila në atë kohë ishte në opozitë.
Kreu i qeverisë Edi Rama nuk ishte i pranishëm në homazhe për shkak se ndodhet në Davos të Zvicrës. Më herët ai reagoi në një postim në Facebook, ku shkroi: “21 Janar ‘Drejtësia vonon po nuk harron'”.
Sot bëhen 14 vite nga vrasja e katër protestuesve, të cilët atë kohë protestonin para Kryeministrisë, më 21 Janar të 2011-s kur Partia Socialiste ishte në opozitë ndërsa PD-ja dhe LSI-ja qeverisnin së bashku dhe kryeministër atëherë ishte Sali Berisha.
Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën dëshmorë të atdheut.
Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.
Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.