Futboll

Rio Ferdinand dhe Anna Oxa të ftuarit VIP të Galasë së futbollit shqiptar

Nga Gazeta Si – Mbyllja e vitit 2024 dhe fillimi i 2025, përgjithësisht si në çdo fushë, është periudhë bilancesh dhe analizash për atë çka ndodhi në 365 ditët e vitit që lamë pas. Dhe në bazë të tyre jepen dhe vlerësimet apo tentohet të vihen re mangësitë për t’u riparuar.

Kështu të hënën e ardhshme do të zhvillohet ceremonia e Topit të Artë të futbollit shqiptar, një mbrëmje Gala e përvitshme që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Këtë herë për të pranishmit dhe veçanërisht për të gjithë futbolldashësit emri surprizë i kësaj mbrëmje do të jetë një tjetër yll, si ishin një vit më parë Christian Karembeu dhe Gianluca Zambrotta, kampion i botës me Francën dhe tjetri po kampion bote me Italinë.

Gazetasi.al ka mësuar se i ftuari më i rëndësishëm i mbrëmjes së 27 janarit pritet të jetë ish-kapiteni i Anglisë dhe i Manchester United, Rio Ferdinand. 12 vjet futbollist i Manchester United, fitues i shume trofeve nga ato të Premier League deri tek Champions League në 312 ndeshje me Djajtë e Kuq të Londrës dhe 81 ndeshje me 3 Luanët, kombëtaren e Anglisë.

Rio Ferdinand, ish-kapiteni i Anglisë dhe i Manchester United.

Kjo mbrëmje ishe parashikuar të zhvillohej sot por për angazhimet e një pjese të madhe të personazheve të ftuar u shty me një javë. Për këtë arsye pitet një tjetër konfirmim i ish-futbollistit anglez si pjesë e Klubit të të famshmëve të UEFA-s, apo ambasadorëve të saj të cilët janë pjesë e ceremonive të tilla gala të futbollit të federative të ndryshme europiane.

Ai pritet të jetë surpriza e mbrëmjes e cila do të jetë konceptuar si një show më tepër se si një ceremoni e thjeshtë sportive. Pikërisht për t’i dhënë edhe më tepër rëndësi kësaj pjese të show-t, përpos Ferdinand, do të jetë edhe këngëtarja italiane me origjinë shqiptare Anna Oxa.

Fituese e Sanremos, festivalit të famshëm të muzikës italiane, ajo do të performojë në sallën kryesore të Pallatit të Operas dhe Baletit në kryeqytet.

Padyshim që këtyre dy emrave të mëdhenj të sportit dhe muzikës do t’i bashkohen drejtuesit e kombëtares shqiptare, disa lojtarë të saj dhe ish-lojtarë që do të marrin dhe dorëzojnë trofetë e më të mirëve për vitin që lamë pas, duke filluar nga formacioni i vitit, i riu më i mirë i vitit, arbitrat e kështu me radhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë