Stadiumi më i madh dhe më modern i vendit, nuk do të ketë për momentin një emër tregtar. Pas hapjes së garës për të pritur ofertat nga Qendra Sportive Kombëtare Kuq e Zi në muajin nëntor të vitit të shkuar, me një afat deri më 30 nëntor të vitit të shkuar, duket se gjërat nuk kanë shkuar sipas parashikimeve.
Kompanitë e paraqitura për t’u informuar rreth kritereve dhe kushteve të këtij sponsorizimi nuk kanë arritur të shkojnë në ofertat e tyre financiare deri në nivelin e kërkuar nga organizatorët e këtij procesi publik, madje duke qenë aq të ulta sa nuk janë marrë as në konsideratë.
Si rrjedhojë tashmë stadium më i madh dhe më modern i vendit me një kapacitet prej 22.500 vendesh, i ndërtuar në vitin 2019, do të mbajë thjesht emrin “Arena Kombëtare”, pas një emëri tregtar siç është njohur prej 5 vitesh, “Air Albania”.
Bashkëpunimi me kompaninë ajrore, edhe pse shumë përfaqësuese për vendin tonë, duket se nuk ka plotësuar pritshmëritë dhe angazhimet e palëve për të patur një rinovim. Çmimi që paguhej për këtë lloj marketing në një prej godinave më në trend të Tiranës, sipas burimeve konfidenciale të Gazetës Si, prej 600.000 eurosh në vit, një shifër që jo gjithmonë është përmbushur si duhet. Po sipas këtyre burimeve, por duke u zëvendësuar apo justifikuar me përfitime shkëmbimi (clering), ku herë pas here shfrytëzoheshin avionët e kompanisë për zgjidhje udhëtimi të ekipit kombëtar në destinacione të ndryshme.
Edhe pse në dukje një shifër e konsiderueshme, më shumë se gjysma e asaj shifre, pra mbi 300.000 euro në vit janë vetëm kostot e mirëmbajtjes së stadiumit, pa përfshirë këtu kostot ekstra që ka patur në këto vite, me ndryshimin tërësisht të tipit të fushës në hibrid, me një kosto rreth 1 milionë euro.
Por pavarësisht të gjithave, vlerës së impiantit, impaktit që ka patur në këto vite si “Shtëpia e Kombëtares”, apo si një prej zonave të biznesit më të lakmuara në kryeqytet, procesi i pritjeve të ofertave u mbyll “thatë“, duke pritur një moment tjetër për t’u rihapur, ndërkohë që në këtë vit “Arenën Kombëtare” pritet të jetë një “armë” plus për kuqezinjtë në synimin e tyre për t’u kualifikuar në Botërorin e vitit 2026.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.