Ka ndodhur

Vdes punëtori 60-vjeçar në kantierin e ndërtimit në aeroportin e Vlorës, e përplasi fadroma! Arrestohet shoferi

Një punëtor ndërroi jetë në kantierin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Viktima e moshës 60 vjeçare ndërroi jetë pasi dyshohet se u shtyp nga fadroma mbrëmjen e së premtes, rreth orës 21:20.
Sipas policisë, shoferi i fadromës, një 63-vjeçar, shqiptar nga Kosova, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe ka përplasur një trajler. Si pasojë, drejtuesi i trajlerit, 60-vjeçari nga Dibra ka humbur jetën.

Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan shtetasin Rr. S., 63 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, pasi dyshohet se më datë 17.01.2025, rreth orës 21:20, në kantierin e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, duke drejtuar një fadromë, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e saj dhe ka përplasur një trajler. Si pasojë, drejtuesi i trajlerit, shtetasi N. Xh., 60 vjeç, banues në Dibër, ka humbur jetën.

Nderkaq Inspektoriati Shtetëror i Punës ka shkuar në kantierin e ndërtimit për të inspektuar shkakun e aksidentit të rëndë në punë ku humbi jetën 60 vjeçari, si dhe nëse janë zbatuar rregullat e sigurimit në punë.

Në aeroportin e Vlorës po punohet me tre turne me qëllim që punimet të përfundojnë brenda afatit. Punëtori rezulton të jetë pjesë e kompanisë 2A Group.

Punimet për aeroportin e Vlorës nisën në fund të vitit 2021. Në fazën e parë, Aeroporti i Vlorës, do të operojë me një kapacitet prej 2 milionë pasagjerësh. Pas mbylljes së fazës së parë, aeroporti do t’i nënshtrohet edhe dy fazave të tjera që përfshijnë, infrastrukturën për godinën kargo, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, dhe ngritjen e akademisë së fluturimit.

2A Group rezulton në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, i cili deri në vitin 2019 ka qenë konsull nderi i Shqipërisë në Kosovë. Kompania zotëron 2 % të aksioneve. Ndërkohë Valon Ademi rezulton dhe administrator i konsorciumit Vlora International Airport – VIA që po ndërton aeroportin e Vlorës. Në këtë shoqëri aksionerë ‘Mabco Constructions SA e Bexhet Pacollit ka 98 % të aksioneve dhe 2A Group SH.P.K. – 2%. Konsorciumi fitues ka marrë përsipër që të investojë 104 milionë euro dhe ndërtimi ka nisur në maj 2023 dhe afati i përfundimit është 36 muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë