Njerez

Pjerin Ndreu: Me kryeministrin je në rregull nëse nuk i shkakton dhimbje koke

Nga Gazeta Si – Për Pjerin Ndreun, kryetarin e Bashkisë së Lezhës, ka një ‘formulë’ se si të kesh marrëdhënie të mira me kryeministrin Edi Rama: Mos i jep dhimbje koke.

Këtë, Ndreu e shpreh në podkastin e përjavshëm “T’pa Thana” në Gazetasi.al.

Duke iu përgjigjur pyetjes se si ndodh që ka një marrëdhënie të mirë me kryeministrin, Ndreu tregon se me të, “je në rregull nëse ia heq dhimbjen e kokës. Nëse nuk i shkon në tavolinë për ti thënë problemet, je në rregull. Kryeministri vlerëson personat që e mbajnë ngarkesën e tyre.”, tregon Ndreu, duke shtuar se edhe ai vetë ka ndjekur këtë rregull, duke zgjedhur që të mbajë afër vartës që i thonë zgjidhjen e problemit, jo problemin.

Por atmosfera nuk ka qenë gjithmonë kështu, siç tregon Ndreu pasi sipas tij, një nga sfidat ka qenë edhe ta kthejë bashkinë e Lezhës në një bashki shërbimi, nga bashki punësimi që cilësohej më parë.

“Problem më i vështirë që kemi ne është “dua 1 vend pune pastrues”. Njerëzit mendojnë se kryetari i bashkisë është zyrë pune dhe kthimi  bashkisë nga bashki punësimi në shërbimi ka qenë sfida ime që kur e kam marrë atë bashki”, shpjegon Ndreu.

I pyetur edhe për deklaratat e herëpashershme të kundërshtarëve për të, Ndreu thotë se kurrë nuk u ka dhënë rëndësi edhe pse “fatkeqësisht, jemi në një vend ku pushtetin e ka dezinformacioni dhe njerëzit kanë dëshirë të ushqehen me dezinformacion”.

Ndreu foli edhe për të ardhmen e Lezhës, duke u zotuar se mandatin e tretë ka vendosur që ta bëjë Lezhën një nga qytetet më të bukur në Shqipëri.

“2025 është i pari vit që kam bërë një plan për të hyrë në një fluks investimesh”, thotë Ndreu.

Ndreu ndau në podcast edhe momente nga jeta e tij, ku momenti më i vështirë ka qenë vdekja e nënës së tij, ku dhe kuptoi se nuk është aq i fortë sa mendonte.

“Kemi pasur një 3 muajsh shumë të vështirë për ne me shëndetin e nënës time.

“Nëna ime ka ndërruar jetë duke e parë dhe nuk kisha çfarë të bëja, nuk isha i zoti. Aty kuptova se nuk jam aq i fortë sa mendoj”, përfundon Ndreu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë