Nga Gazeta ‘Si’ – Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në SHBA dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer ka ngritur shqetësime për përkeqësimin e situatës në rajon, sidomos në raportet Kosovë-Serbi, gjatë administratës së dytë të Donald Trumpit.
Serweri në një analizë të publikuar në Peacefare ka thënë se edhe administrata e presidentit në largim, Joe Biden, ka ndjekur një politikë që favorizon Serbinë, duke mbështetur krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Për pjesën më të madhe të administratës së Bidenit, Gabriel Escobar e bëri krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe prioritet të tij ekskluziv. Kjo do të thoshte t’i jepte Beogradit atë që donte më shumë, ndërsa Prishtinës t’i jepte asgjë. Kjo nuk do të funksiononte kurrë, dhe nuk ndodhi. Por njerëzit e Bidenit vazhduan të anojnë drejt Beogradit”, ka shkruar Serwer, duke e kritikuar këtë qasje që sipas tij, është e njëanshme dhe e padrejtë për Kosovën.
Gjithashtu, Serweri ka paralajmëruar se administrata e re e Trumpit mund të ndjekë një kurs të ngjashëm ose më të theksuar, ku ndikimi i Jared Kushner, dhëndrit të Trumpit, mund të orientojë politikën amerikane drejt favorizimit të Beogradit, duke injoruar interesat e Kosovës.
“Nuk pres më mirë nga administrata e dytë e Trumpit. Jared Kushner, dhëndri i Trumpit i financuar nga Arabia Saudite, ka kërkuar projekte investimi si në Serbi ashtu edhe në Shqipëri. Me sa jam në dijeni, ai nuk e ka vizituar as Bosnjën apo Kosovën. Ju mund të prisni që Trumpi të mos bëjë asgjë që do të rrezikojë projektet e Kushnerit apo paratë e tij saudite. Kjo do të thotë një anim i vazhdueshëm drejt Beogradit dhe larg Prishtinës, por jo larg Tiranës”, ka shkruar mes të tjerash Serweri.
Presidenti Joe Biden do të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar dhe do të pasohet nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.