Para

Banka italiane Intesa Sanpaolo blen 1 mln euro Bitcoin, drejtori: Është një test!

Banka më e madhe në Itali, Intesa Sanpaolo ka hyrë në fushën e kriptomonedhave, duke blerë 1 milionë euro vlerë në Bitcoin që për drejtuesin Carlo Messina, është një “test”.

Sipas Reuters, Intesa ka blerë 11 Bitcoin të hënën e 13 janarit.

“Ne nuk do bëhemi lojtarë të Bitcoin. Si një kompani e menaxhimit të pasurive, kemi klientë të sofistikuar që kërkojnë investime të tilla dhe ne nuk i shërbejmë dot nëse nuk jemi prezentë në treg”, tha Messina.

Bitcoin u dyfishua në vlerë në vitin 2024, nxitur nga miratimi i rregullatorit të tregut të SHBA për fondet e tregtuara në bursë dhe optimizmi mbi lehtësimin e pengesave rregullatore nën Presidentin e ardhshëm të SHBA Donald Trump.

Ndërsa Bitcoin flirton me vlerën 100,000 dollarë, disa analistë presin që ai të dyfishohet në vlerë përsëri këtë vit.

Messina tha se tregtia e vogël tregoi se Intesa thjesht kreu “një test” dhe shtoi se banka kishte hapësirë ​​”shumë të kufizuar” për të investuar në asete kripto.

“Ne testuam se si të trajtojmë çdo kërkesë të mundshme nga klientët, por gjithsesi do të ketë kufij shumë të ngushtë dhe klientët do të duhet të dëshmojnë se i kuptojnë rreziqet e mundshme,” tha ai.

Duke folur më herët gjatë konferencës, Messina u bëri thirrje investitorëve joprofesionistë dhe në veçanti familjeve që të qëndrojnë larg investimeve në kripto.

“Mos e bëni,” tha ai.

Intesa do të performojë më mirë se sa pritej këtë vit dhe do të punojë në një strategji të re shumëvjeçare që do t’ua prezantojë investitorëve në vitin 2026, shtoi CEO. Blerja e Intesa e së hënës u raportua për herë të parë nga e përditshmja italiane La Stampa.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë