Futboll

Ekuilibër në Superiore pas javës së 20-të

4 fitore dhe 1 barazim për 13 gola të shënuar në dy ditë, 7 të premten dhe 1 më pak të shtunën. Kjo ishte java e 20 në Kategorinë Superiore dhe e para e këtij viti kalendarik që ktheu futbollin vendas në fushë. Pas saj kemi një triumvirat me pikë të barabarta në krye dhe kampionët në fuqi që e ndjekin me një më pak. Kjo falë fitores së Bylis që ndali Dinamon dhe Skënderbeut që i mori një pikë Partizanit.

Bakayoko dhe Egnatia festojnë fitoren ndaj Laçit

Kryeqytetasit e Dajës shohin Partizanin nga poshtë dhe Vllazninë nga lart. Pikët janë 34 për të treja por diferencën e bën golevarazhi, +10 të kuqtë, një gol më pak blutë dhe +7 kuqeblutë që iu falën këmbëve të Balajt për të fituar klasiken ndaj Tiranës. Haxhiu shënoi i pari për miqtë në “Loro Boriçi” por bardheblutë u dorëzuan në pjesën e dytë.

Bekim Balaj, autori i 2 golave ndaj Tiranës

Marku dhe Berko për çdo pjesë zhvfletësuan barazimin e Zabërgjas në Ballsh, atje ku Dinamo kupton se duhet ende punë për të fituar ndaj Bylis. Kartonat dhe një gol në fund ishin protagonistë në fitoren e Egnatias. Cordeiro mori të verdhën e dytë duke lënë Laçin në inferioritet pas golit të Bakayoko-s për kampionët në fuqi. Sa më lart gjithçka i përket të premtes, ndërsa të shtunën AF Elbasani ishte e vetmja që fitoi.

Lleshi dhe AF Elbasani e nisën me fitore ndaj Teutës

Beshiraj debutoi me gol për Teutën por Lleshi i prishi festën atij dhe “djemve të detit” me 3 golëshin e shënuar në pjesën e dytë. Ndërsa në “Arenën e Demave”, Partizani tregoi shumë pak ndaj Skënderbeut. Kaloi në avantazh në fundin e pjesës së parë dhe u arrit në fundin e të dytës. Mungesat e të kuqve dhe ridimensionimi që miqtë kanë pësuar nën drejtimin e Ernest Gjokës vendosën sfidën. E cila mund të ishte fituar nga korçarët nëse do ishin më të saktë përpara portës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë