Bayern dhe Mönchengladbach kanë zhvilluar një nga rivalitetet më të rëndëishme në historinë e Bundesligës duke ndarë titujt për 9 sezone rradhazi gjatë viteve ‘70. Dy klubet mbërritën mes më të mirëvë në vitin 1965 kur u kualifikuan nga ligat rajonale përkatëse. Zlatko Cajkovski e ndërtoi skuadrën rreth një boshti të përbërë nga Sepp Maier, Franz Beckenbauer dhe Gerd Müller. Mirëpo ishte patrioti i tij Branko Zebec që udhëhoqi bavarezët në titullin e parë në Bundesliga në sezonin 1968/69. Edhe Gladbach nuk mbetej pas sa i përket talenteve dhe në atë kohë mund të përmendim Günter Netzer që mbështetej nga Berti Vogts, Herbert Wimmer dhe Jupp Heynckes me të cilët fitoi dy titujj rradhazi në vitet 1970 dhe 1971.
Skuadra e parë në histori që mbronte titullin e fituar. Në të njëjtën periudhë, yjet e të dy skuadrave lanë mënjanë rivalitetin në kampionat dhe u bashkuan për lavdinë e Kombëtares në nivel ndërkombëtar. Vetëm 5 nga 18 lojtarët e Gjermanisë në “UEFA Euro 1972” nuk ishin pjesë e aksit Munich-Mönchengladbach ndërsa 9 lojtarë të Bayern dhe Gladbach ishin titullarë në Finalen ndaj ish Bashkimit Sovietik që Gjermania e fitoi 3-0 falë golave të Müller dhe Wimmer. Dy vite më pas 8 lojtarë nga Bayern dhe Gladbach zbritën në “Olympiastadion” në Mynih për Finalen e “1974 FIFA World Cup” kundër Holandës që udhëhiqej nga Johan Cruyff. Vendasit triumfuan mbi futbollin total pavarësisht se u gjëndën në disavantazh pas 2’. Gjermania ja doli të fitonte falë golave të Paul Breitner dhe Gerd Müller. Për tu kthyer në kampionat, ndeshja më e madhe mes tyre ndër 110 të zhvilluarat, kujtohet ajo e Marsit të vitit 1979, e fituar 7-1 nga Bayern me një 3 golësh të Karl-Heinz Rummenigge-s.
Për të ardhur në ditët tona, Gladbach vërtetë nuk e ndaloi dot Bayern të fitojë 11 tituj rradhazi, por mbetet një kundërshtar i vështirë për tu kaluar. I ka mundur 10 herë dhe ka barazuar 5 ndeshje të tjera me bavarezët prej sezonit 2011/12. Për shumë tifozë kjo sfidë është “Klasikja origjinale” por në kohën e Beckenbauer, Netzer, Müller dhe Heynckes termi “Klasike” nuk përdorej në Bundesliga. E megjithatë nuk ka asnjë arësye për të mos e përmendur rivalitetin special që ekziston mes Bayern Munich dhe Borussia Mönchengladbach, “Mbretërit” e futbollit gjerman në vitet ‘70.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.