Gazeta Si – I shumëkërkuari i drejtësisë, Dritan Rexhepi, i konsideruar si “Mbreti i drogës” dhe i akuzuar për disa vepra të rënda penale, u ekstradua nga Turqia në Shqipëri këtë të mërkurë, 8 janar 2024.
Rexhepi është dënuar nga drejtësia shqiptare për vrasje dhe është në gjykim për dyshimet se ka urdhëruar rrëmbimin e Jan Prengës, pas grabitjes së një sasie kokaine nga i vëllai i këtij të fundit në Angli.
Në videon e publikuar nga policia, duket se ai është shoqëruar nga Stambolli nga forcat speciale turke, deri në mbërritjen e tij në Rinas, ku e kanë pritur autoritetet policore shqiptare nën masa të rrepta sigurie.
LEXO EDHE:
– Dritan Rexhepi, historia e një vrasësi që thyente burgjet
– Favoret e drejtësisë ekudoriane për bosin e kokainës Dritan Rexhepi. Historia e një ‘arratisjeje ligjore’
– Në rrjetin e ‘baronit’ të drogës/ ‘Po dal për ajrosje’! Si u zbulua Dritan Rexhepi në burg dhe gjurmët e kokainës nga Ekuadori në Europë
Policia, në njoftimin zyrtar bën me dije se 45-vjeçari, konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, sepse në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ”Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin G. D., ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit J. P., pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i shtetasit J. P., kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij.
Në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”.
Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin D. K., si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas, në spital.
Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike.
Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.
Rexhepi gjithashtu kërkohet edhe nga autoritetet italiane për çështje të trafikut të drogës, si një nga drejtuesit e grupi kriminal “Kompania Bello”.
Ai ka qenë më parë i burgosur në Ekuador, vend ku ishte i përfshirë në trafikun e kokainës, por u lirua me masën “arrest shtëpie” përmes procedurave ligjore, duke u arratisur përfundimisht.
Arrestimi në Turqi
Arrestimi i Rexhepi u bë në një lagje të Stambollit në nëntor 2023, ku ai fshihej me një identitet të rremë. Lajmin e bëri të ditur ministri i brendshëm turk, Ali Yerlikaya i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi se kreu i organizatës së drogës “Kompania Bello”, i kërkuar nga autoritetet shqiptare dhe italiane u arrestuar gjatë operacionit “Kartel” të organizuar nga autoritetet turke në një vilë luksoze në Stamboll.
Gjatë ndalimit Rexhepit iu gjetën armë, sasi të mëdha monetare, drogë dhe sende të tjera me vlerë. Rexhepi ishte futur në Turqi nga Aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emër të Benjamin Omar Perez Garcia, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur falë shkëmbimit të informacioneve mes autoriteteve turke, italiane dhe atyre shqiptare.
Ekuadori
Më 27 qershor të vitit 2014, Dritan Rexhepi arrestohet në Ekuador, si pjesë e një grupi që u kap me 278 kilogramë kokainë. Por për 3 muaj askush nuk kishte dijeni për emrin e vërtetë të tij.
Ai kishte tri identitete. U regjistrua me emrat Ioannis Dionisopoulos (emri grek) dhe Lulezim Murataj (emri shqiptar). Ai kishte ndryshuar plotësisht pamje, ndërsa mbante një pasaportë greke.
U desh verifikimi i Departamentit të Daktiloskopisë së zyrës qendrore të Interpolit në Lion, që të zbulonte identitetin e vërtetë të tij.
Gjurmët e gishtave, zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht 34-vjeçari nga Vlora, emri i të cilit ndodhej në listën e 10 personave më të kërkuar nga Interpoli.
Dritan Rexhepi, i cilësuar si “mjeshtri” i arratisjeve, në atë kohë nuk kërkohej vetëm nga Shqipëria, por ishin edhe 4 shtete të tjera që kërkonin ekstradimin e tij, duke filluar me Italinë, Holandën, Spanjën dhe Belgjikën.
Por kush është Dritan Rexhepi?
Në Itali e quajnë “Pablo Eskobari shqiptar”. Në Ekuador i thërrasin “narko-mbreti i Quitos” apo “truri i kartelit shqiptar”.
E kur ishte në burg atje, të dënuarit i thërrisnin “Julio”. Në Spanjë, “Mjeshtri i arratisjeve”. Ndërsa në Shqipëri ai njihet thjeshtë me emër, Dritan Rexhepi, nga Vlora.
Dritan Rexhepi sot është i kërkuar në 7 shtete. Por dy janë më të rëndësishmet. Italia dhe Shqipëria. E kanë kërkuar ndër vite ekstradimin e tij.
Sot konsiderohet në të njëjtin nivel me narkotrafikantët më të rëndësishëm të Amerikës së Jugut. Pavarësisht aludimeve mediatike për një kartel të mirëfilltë shqiptar që drejtohet nga ai, duket se ende nuk është arritur ky nivel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.