Njerez

Raporti britanik: Shqiptarët, të parët për krime seksuale nga emigrantët

Emigrantët e huaj në Britani kanë më shumë se tre herë gjasa të arrestohen për krime, sidomos krime seksuale.

Tabela e krimit vendos shqiptarët si kombësia më e mundshme për t’u arrestuar, të ndjekur nga afganët, irakianët, algjerianët, marokenët dhe somalezët.

Të huajt kishin 3.5 herë më shumë gjasa për t’u arrestuar për krime seksuale sesa britanikët, bazuar në një normë prej afro 165 arrestimesh për 100,000 të popullsisë emigrante kundrejt 48 për 100,000 për britanikët.

Sipas analizës, shtetasit e huaj u arrestuan në pothuajse dyfishin e shkallës së britanikëve në 10 muajt e parë të vitit 2024, me 23.9 arrestime për 1000 për emigrantët krahasuar me 12 për 1000 për britanikët.

Gjetjet janë evidentuar në një raport të hartuar nga Qendra e Britanisë së Madhe për Kontrollin e Migracionit.

Sipas këtij raporti, shqiptarët renditen në krye të listës së emigrantëve të huaj në Britani të Madhe që kanë më shumë se 3 herë rrezikshmëri për të kryer krime seksuale, shkruan “Telegraph“.

Këto përfundime janë nxjerrë pas analizave të të dhënave të marra nga policia britanike dhe Ministria e Brendshme.

Tabela e cila rendit shtetësitë me përqindjen më të lartë të këtyre krimeve, vendos shqiptarët në krye të saj, si kombësinë më të mundshme për t’u arrestuar.

Për të gjitha krimet, shtetasit e huaj u arrestuan me dyfishin e shkallës së vendasve , duke llogaritur 131 mijë nga arrestimet prej Janarit e deri në Tetor të vitit 2024.

Robert Bates, themeluesi dhe drejtori i kërkimit i Qendrës për Kontrollin e Migracionit, tha se nuk duhet të ketë asnjë shtetas të huaj në Mbretërinë e Bashkuar që po shkel ligjet.

“Nuk duhet të ketë asnjë e ndërkohë ne kemi mbi 10,000 shtetas të huaj në burgjet e Britanisë, shumë të tjerë në provë ose të liruar në komunitet dhe një turmë shkelësish të përsëritur që ne nuk jemi në gjendje t’i dëbojmë. Nëse Ministria e Brendshme do të ishte e angazhuar seriozisht për mirëqenien e qytetarëve britanikë, do të shikonte ta trajtonte këtë problem duke futur protokolle shumë më të rrepta të vizave për ato kombësi me një prirje disproporcionale të lartë për t’u përfshirë në kriminalitet”.

Burimi: The Telegraph. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë