Njerez

At’ Flavio: Bota e pasigurt, egoizmi për pushtet nuk premton asgjë të mirë

Nga Gazeta Si – I lindur në Verona ai braktis studimet për mjekësi në vitin e parë dhe vendos të bëhet prift. At’ Flavio Cavallini, në episodin e radhës së Podkastit “T’pa thana” tregon për njohjen e tij me At’ Zef Pllumin, komercializimin e Krishtlindjes, se Babagjyshi është fantazi dhe bota e pasigurt.

At’ Flavio mbërriti në Shqipëri në 1993 edhe pse informacionet për vendin tonë i ka marrë shumë vite më parë.

“Kontakti i parë me Shqipërinë ka qene nëpërmjet informacioneve, lajmeve në televizor dhe më vonë ardhja e anijes së famshme në Bari më bëri të jem më kurioz për situatat e shqiptarëve”, thotë At’ Flavio, duke shtuar se shërbimin e parë e ka bërë në zonën e Dukagjinit, që ai e quan edhe dashurinë e parë, edhe pse pengesat kanë qenë të shumta.

“Shpesh kemi bërë kremtime nëpër varreza sepse nuk kishte Kisha asokohe dhe varrezat ishin zona më e përshtatshme për të bërë një kremtim”, tregon At’ Flavio.

Ai flet edhe për takimin e tij të parë me At Zef Pllumin dhe vecantinë që ai kishte.

“E kam takuar në Itali. Mësova se kishte ardhur një Frat shqiptar dhe duke qenë se isha i interesuar për çdo gjë që kishte të bënte me Shqipërinë, shkova ta takoj. Më priti, bëmë një bisedë, më shpjegoi disa gjëra për vendin por tani kujtoj vetëm sytë e tij, të gjithë thonin se ka sy të vecantë”, thotë ai.

A janë kthyer Krishtlindjet në komercializim?

At’ Flavio tregon se ne kremtojmë faktin se krijuesi i botës është i pranishëm mes nesh dhe krijimi i kulturave si babagjyshi është mitologji.

“Problem është se Krishtlindja nuk ka Krishtin në qendër më. Ka drita, pemë, festime, markete por u zhduk Krishti nga krishtlindja, kjo për shkak të komercializimit”, tregon At’ Flavio.

I pyetur se si e sheh gjendjen e botës, At’ Flavio thotë se ka pak premisa për më mirë.

“Unë jam shumë i preokupuar për situatën e botës. Nuk kam shumë shpresë duke parë gjendjen. Egoizmat për të kërkuar pushtet nuk premtojnë asgjë të mirë por e mira është se fjalën e fundit nuk e kanë pushtetarët por vjen nga lart”, shpjegon At’ Flavio, duke shtuar se Zoti e krijoi njeriun që të jetojë, dhe kur ka probleme.

“Jeta ka vlerë gjithmonë, edhe kur ka sëmundje, dhimbje, sprova”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë