Mjedis

Mbi 16 ton mbetje drejt Shqipërisë, kapet një kamion në portin e Ankonës

Nga Gazeta Si – Një operacion i Guardia di Finanza dhe autoriteteve doganore italiane në Ankona ka zbuluar një rast të trafikut të paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Shqipërisë.

Një kompani italiane po përpiqej të dërgonte ilegalisht mbi 16 ton mbetje në Shqipëri, duke i dërguar ato me një kamion që do të ngarkohej në një traget nga Ankona për në Durrës.

Pas një analize të rrezikut, autoritetet zbuluan pasaktësi në dokumentacionin e dërgesës dhe, pas kontrollit të detajuar, konstatuan se ngarkesa përbënte mbetje, të cilat ishin pjesë e listës që kërkonte kontrolle më të rrepta, si dhe autorizim paraprak nga vendi i pritës, që nuk mund të ishte dhënë pasi Shqipëria ka ndaluar importin e këtij lloji mbetjesh, shkruajnë mediat italiane.

Pas ekspertizës nga Agjencia Rajonale për Mbrojtjen e Mjedisit (Arpam), mbetjet u klasifikuan si rrezik për mjedisin dhe kërkonin një kontroll më të detajuar, procedurë që nuk ishte kryer.

Mediat italiane shkruajnë se riklasifikimi i mallrave nënkuptonte që dërgesa duhej të ishte shoqëruar me një procedurë parandaluese (që nuk kryhet nga përgjegjësit), dhe me autorizim paraprak të shprehur nga vendi pritës, i cili nuk mund të lëshohej në këtë rast pasi Shqipëria ndalon importimin e këtij lloji të produktit.

 Si pasojë, 16 ton mbetje tekstili u sekuestruan, me vlerë disa mijëra euro. Për këtë ngjarje, u denoncua në gjendje të lirë drejtori i kompanisë eksportuese për akuzat e trafikimit të paligjshëm të mbetjeve dhe falsifikimit të dokumenteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë