Gazeta Si - Policia e Durrësit ka ekzekutuar vendimin e gjykatës për konfiskimin e 4 pasuri të paluajtshme, të cilat janë përfituar nga veprimtaria kriminale e Alket Hatijas, i cilësuar edhe me pseudonimin “Zoti i drogës” në Itali.
Bëhet fjalë për 1 sipërfaqe toke truall, 1 garazh dhe 1 apartament në Durrës, si dhe 1 apartament në Kavajë, të regjistruara në emër të Hatijas dhe familjarëve të tij.
Hatija ka qenë i dënuar me 20 vjet burgim nga autoritetet gjyqësore italiane për trafikim të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë gati dy dekada më parë.
Alket Hatija, gjatë periudhës 2003-2004, ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali.
Ai ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast).
Pas një kalvari të gjatë me të gjitha shkallët e gjyqësorit për të shmangur ekstradimin prej disa vitesh, autoritetet tona e arrestojnë dhe ekstradojnë në Itali vitin e shkuar.
Por pas procedurave të kryera, Gjykata e Apelit të Milanos e liron në dhjetor 2023 me argumentin se Hatija e kishte shlyer dënimin në Shqipëri.
Policia e Durrësit njoftoi sot (18 dhjetor) se ka ekzekutuar vendimin e GJKKO-së. “Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Konfiskimi”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, të cilat ky shtetas i kishte regjistruar në emër të vet dhe të familjarëve të tij”, njoftoi Policia e Durrësit, që bën edhe ekzekutimin e vendimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.