Dosje

Italia liron ‘Zotin e drogës’ Alket Hatija, Gjykata e Milanos: E shleu dënimin në Shqipëri

Gazeta Si - Autoritetet gjyqësore italiane kanë liruar nga burgu Alket Hatijan, i konsideruar si një nga bosët e mëdhenj të trafikut të drogës.

52-vjeçari shqiptar, një eksponent i njohur në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, u arrestua në gusht të këtij viti në Durrës me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Milano e kishte dënuar atë me 20 vite burgim. Por pas procedurave të kryera, gjykata italiane ka bërë me dije se Hatija ka vuajtur dënimin në Shqipëri.

Gjykata e Apelit të Milanos, me vendim të datës 11 dhjetor 2023, konsideron se dënimi i kryer në Shqipëri, vendim i dhënë nga gjykatat shqiptare për 10 vjet burg, është për të njëjtat vepra penale dhe në këto kushte konsiderohet i shlyer.

Brenda afateve ligjore, mbrojtësit e Hatisë bënë ankim në gjykatë pas ekstradimit të tij nga Shqipëria në Itali.

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Italisë, personat e ekstraduar kanë të drejtë të rihapin procesin brenda afatit ligjor prej 30 ditëve, praktikë që u ndoq kësaj here edhe nga avokatët e të pandehurit.

Me rihapjen e procesit gjyqësor, Gjykata e Apelit të Milanos ka lënë të lirë Hatinë, i cili pritet të kthehet në atdhe brenda pak ditësh, duke përmbyllur përfundimisht një proces të gjatë betejash me gjyqësorin shqiptar dhe italian.

Alket Hatija i arrestuar në Durrës më 30 gusht 2023, më 8 shtator do të ekstradohej nga Shqipëria në Itali ku do t’i nënshtrohej dënimit me 20 vite burg marrë nga drejtësia italiane më 2017-ën.

Për autoritetet italiane, Hatija njihet si “Zot i Drogës” e drejtues i një organizate trafiku kokaine e heroine.

Hatija, i ndaluar në një nga hotelet në Durrës, akuzohej se kishte transportuar 350 kilogramë heroinë dhe 190 kilogramë kokainë në Milano nga janari 2003 deri në mars 2004. Ngarkesat kapnin vlerën 35-45 milionë euro sipas policisë italiane.

Një vendim i shkallës së parë të Gjykatës së Durrësit pengoi në vitin 2017 ekstradimin e tij në Itali me motivin se për të njëjta akuza e kishte kryer dënimin në Shqipëri.

Më pas, në 2021-in, Gjykata e Apelit në Shqipëri hodhi poshtë këtë vendim dhe autorizoi ekstradimin e tij drejt Italisë. Por prej shtatorit 2021, Alket Hatija humbi gjurmët, u shpall në kërkim dhe u arrestua në gusht të këtij viti.

Ndërkohë, me 30 shtator të këtij viti, SPAK kërkoi konfiskimin e 8 pasurive të Alket Hatijas. Bëhet fjalë për 8 pasuri, të cilat janë në pronësi të Hatijës, vëllait dhe bashkëshortes të tij, të cilat sipas argumentimit të SPAK, janë me burim të pajustifikuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë