Politike

Sot samiti BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, në fokus angazhimi për integrimin e vendeve të rajonit

Nga Gazeta 'Si'- Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe ata europianë do të mblidhen sot në samitin e radhës të përbashkët BE-Ballkani Perëndimor. 

Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama ndërsa Kosova nga presidentja Vjosa Osmani.

Nga Serbia i pranishëm do të jetë presidenti Aleksandar Vuçiç.

Forcimi i partneritetit mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe përmes integrimit gradual të këtyre vendeve në disa politika të BE-së, do të jetë fokus i samitit, ku do të miratohet edhe një deklaratë e përbashkët.

“Zgjerimi është një investim gjeostrategjik në paqe, stabilitet dhe prosperitet. Ka tash një dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit. Përshpejtimi i procesit të zgjerimit, bazuar në kushtet e drejta dhe strikte dhe parimet e meritave individuale, është në interes të përbashkët”, thuhet në deklaratën që pritet të miratohet.

Në këtë samit do të jetë temë edhe bashkëpunimi lidhur me menaxhimin e migracionit si dhe luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar. Në kohën e agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe me ndryshimin e rrethanave globale, pritet të ritheksohet se partneriteti mes BE-së dhe vendeve të rajonit është më i rëndësishëm se kurrë.

Pikërisht për të ndihmuar në përshpejtimin e procesit të zgjerimit nga ky samit do të dërgohet thirrja që vendet e rajonit sa më shpejt t’i zgjidhin mospajtimet me fqinjët, si me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ashtu edhe mes vete në rajon.

Samiti do të kryesohet nga Presidenti António Costa, për herë të parë në cilësinë e tij të re si President i Këshillit Europian. E pranishme do të jetë edhe presidetja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Liderët gjithashtu do të takohen edhe me kryediplomaten Kaja Kallas.

Takimet janë parashikuar të nisin në orën 16:30 pasdite, ndërsa pas një konference për media në orën 19:30, do të ketë edhe një darkë pune të liderëve, që pritet të nisë në orën 20:30.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë