Shendet

Mbi 11 mijë pacientë në javë me grip, ISHP: Qarkullim intensiv të 3 viruseve respiratore, pritet rritje e rasteve, kujdes simptomat

Nga Gazeta Si- Shqipëria është futur tashmë në pikun e qarkullimit të infeksioneve respiratore, ku nga sistemi i survejancës në Institutin e Shëndetit Publik, numërohen mbi 11 mijë të sëmurë çdo javë që kërkojnë ndihmë të specializuar.

Sipas raportit më të fundit zyrtar të ISHP-së, në vend qarkullojnë viruset e gripit të tipit A dhe gjithashtu ka bashkë qarkullim të Covid-19 dhe të virusit RSV. Gjithashtu, si çdo vit qarkullojnë edhe viroza të tjera respiratore, veçanërisht tek fëmijët e vegjël.

"Numri i infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme është rreth 11.500 raste në javë dhe paraqet një trend në rritje", thuhet në informacionin zyrtar të ISHP.

ISHP thotë se nga eksperienca shumëvjeçare, në vendin tonë qarkullimi i gripit fillon në muajt nëntor-dhjetor dhe vazhdon në rritje për të arritur pikun e qarkullimit në fund të muajit janar-fillimi i muajit shkurt dhe për të vazhduar me një trend në rënie deri nga fundi i muajit mars.

"Është e rëndësishme që çdo individ që ka simptomat e gripit të kontaktojë sa më parë mjekun e familjes dhe mos të paraqitet në farmaci dhe të marrë vetë medikamente", thonë ekspertët e shëndetit publik.

Nga ana tjetër, ata rekomandojnë që fëmijët e vegjël të qëndrojnë në shtëpi gjatë periudhës së infeksionit për të mos u bërë burim ngjitës i virusit, në kopshte apo çerdhe.

“Konstatojmë se nënat me fëmijë të vegjël i drejtohen urgjencës së spitalit në rastet e një temperature të lartë, pa u konsultuar me mjekun specialist. Së pari është e nevojshme që fëmija të qëndrojë në shtëpi e të trajtohet me terapi pas një konsulte me pediatrin pa qenë nevoja të krijohen grumbullime në spital”, thonë ekspertët e ISHP.

Mjekët bëjnë apel që kategori të rriskuara nga gripi si fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat mbi 65-vjeç dhe me probleme kronike, duhet të vaksinohen.

‘Gripi nuk duhet të neglizhohet. Shenjat dhe simptomat e gripit variojnë nga të lehta në mesatare, por gjithashtu gripi paraqet edhe forma të rënda që mund të përfundojnë edhe në vdekje tek individët e pavaksinuar. Vaksinimi mbron nga format e rënda dhe nga vdekja.  Gjithashtu rekomandohet edhe nje higjene e mire vetjake dhe komunitare’, theksojnë mjekët.

Sipas tyre, çdo person që bën pjesë në grupet me rrisk dhe nuk është momentalisht i prekur nga gripi, duhet të paraqitet në qendrën shëndetësore të vendbanimit të tij dhe të vaksinohet. Rekomandohet vaksinimi i dyfishtë për grip dhe për Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë