Nga Gazeta Si - Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një prononcim të shkurtër për fshf.org deklaroi pas shortit se grupi ku Shqipëria bën pjesë është shumë i vështirë dhe se skuadra duhet të përgatitet dhe të punojë shumë gjatë fushatës kualifikuese.
“Shorti duhet pranuar siç është. Nuk është më e mira e mundshme që mund të na sillnin goglat. Anglia është një nga ekipet më të mira në botë, është e vështirë përballja kundër tyre. Apo ndeshja me Serbinë, është vërtetë sensitive. Uroj që të shkojë mirë, të jetë mesazh bashkëpunimi, atë që duhet të bëjë futbolli. Duhet të flasim për futboll, është një grup i vështirë. Mund të ishte ndryshe, por kualifikueset e Kupës së Botës janë gjithmonë të vështira. Shumë më të vështira se kualifikueset e Europianit dhe Ligës së Kombeve”, tha Duka, duke shtuar se nuk mbetet gjë tjetër vetëm se “të përgatitemi, të presim datat e takimeve, cili do jetë kundërshtari jonë në mars dhe të bëjmë më të mirën e mundshme për të luftuar”.
“Na mbetet vetëm të punojmë shumë”, tha Duka në prononcimin e tij.
Edhe trajneri Silvinjo ka folur pas shortit për kualifikueset e Botërorit 2026 ku Shqipëria do të përballet me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
“E prisja. Grup i fortë si gjithë të tjerët. Sa herë i shikon Holandën, Gjermaninë, Italinë, janë të forta. Ishim në vazon e tretë, prisnim diçka të fortë nga e para dhe e dyta. Është një kompeticion shumë i shpejtë. Për ne çdo garë do të jetë finale si gjithmonë. Kemi një ëndërr për të shkuar përpara. Dhe duhet të gabojmë sa më pak sepse ashtu ke mundësi për të shkuara përpara”, tha Silvinjo për Klan.
Ai foli edhe për ndeshjen me Serbinë, duke thënë se “E dimë, është historia pas saj, por jemi këtu për të luajtur futboll. Jemi profesionistë. Historia është pas dhe e rëndësishme. Jemi këtu për të luajtur”. I pyetur nëse beson se Shqipëria do të kalojë grupin, Silvinjo e përgjigj “Besoj”!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.