Shendet

A mundet vërtet çokollata e zezë të zvogëlojë rrezikun e diabetit? Çfarë thotë studimi i ri

Mund të ketë arsye të mira për t'u kënaqur me çokollatën e zezë: ja pse mund të jetë e mirë për ju (por doza e duhur është një katror i vogël në ditë)

Gazeta Si - Ndoshta është shumë e mirë për të qenë e vërtetë, por një studim i fundit i publikuar në "British Medical Journal" ofron një lajm inkurajues: ngrënia e çokollatës së zezë është shoqëruar me një rrezik të reduktuar të zhvillimit të diabetit të tipit 2.

Por kini kujdes, hulumtimi është vëzhgues dhe nuk demonstron se çokollata ishte përgjegjëse për këtë përfitim shëndetësor (shkaku dhe efekti nuk është i provuar).

Mund të jetë diçka tjetër që hanë njerëzit që konsumojnë gjithashtu çokollatë të zezë që i bën ata më pak të prirur ndaj zhvillimit të diabetit (një lidhje më e madhe është vërejtur tek ata që ndjekin një dietë të shëndetshme).

"Çokollata e zezë nuk duhet të konsiderohet një 'plumb magjik' për të parandaluar diabetin", - paralajmëron profesor Qi Sun, profesor i “Harvard TH Chan School of Public Health” dhe autori kryesor i studimit. Përkundrazi, gjetjet sugjerojnë se pak çokollatë e zezë është pjesë e një diete të shëndetshme.

Çfarë gjeti studimi

Studiuesit filluan të studiojnë tre grupe profesionistësh të kujdesit shëndetësor duke filluar nga mesi i viteve 1980.

Çdo katër vjet, më shumë se 190,000 pjesëmarrës plotësonin pyetësorë të detajuar dietik, të cilët pyesnin se sa shpesh konsumonin çokollatë.

Duke filluar nga viti 2006, studiuesit modifikuan pyetësorët për të pyetur se sa shpesh pjesëmarrësit hanin çokollatë të zezë dhe me qumësht.

Pjesëmarrësit e studimit u ndoqën deri në 34 vjet. Në këtë periudhë rreth 19,000 pjesëmarrës zhvilluan diabetin e tipit 2.

Pas rregullimit të të dhënave duke marrë parasysh aspekte të tjera të stilit të tyre të jetesës si ushtrimet, konsumimi i alkoolit, pirja e duhanit, dieta e përgjithshme e shëndetshme, historia familjare e diabetit, studiuesit zbuluan se njerëzit që konsumonin të paktën pesë racione në javë të çdo lloji të çokollatës, kishin një rrezik 10 për qind më të ulët të zhvillimit të diabetit të tipit 2, sesa ata që hanin rrallë ose kurrë çokollatë.

Kur studiuesit hodhën një vështrim më të thellë në të dhënat e 112,000 njerëzve që dhanë detaje mbi llojet e çokollatës që konsumonin, studiuesit vunë re një rezultat edhe më befasues.

Ata që konsumonin të paktën pesë racione çokollatë të zezë në javë kishin një rrezik 21% më të ulët për zhvillimin e diabetit të tipit 2 krahasuar me ata që konsumonin çokollatë të zezë më pak se një herë në muaj.

Pjesëmarrësit që konsumuan çokollatë me qumësht, siç tregoi kjo analizë e dytë, nuk ishin të mbrojtur nga diabeti i tipit 2: përkundrazi, ata kishin më shumë gjasa të fitonin peshë gjatë studimit.

Kufizimet e studimit

"Megjithëse studimi është i madh dhe i mirë-projektuar, si të gjitha studimet vëzhguese, ai nuk ishte në gjendje të demonstronte një lidhje shkak-pasojë midis konsumit të çokollatës së zezë dhe parandalimit të diabetit të tipit 2", - tha Dr. Susan Spratt për "New York Times",  endokrinologe dhe nutricioniste në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Duke.

"Studimi nxjerr në pah një efekt korrelacioni dhe jo një shkakësor: ata që hanë çokollatë të zezë në përgjithësi kanë një mënyrë jetese më të ndërgjegjshme për shëndetin", - thotë Stefano Erzegovesi, psikiatër dhe nutricionist.

Pra, është e mundur që njerëzit në studim që konsumuan çokollatë të zezë mund të kenë qenë më të shëndetshëm për arsye të tjera: ndoshta ata ushtroheshin më shumë, kishin një dietë më të shëndetshme ose shkonin te mjeku më shpesh kur kishin nevojë.

Megjithëse studiuesit morën parasysh shumë faktorë që lidhen me dietën, stilin e jetës dhe pasurinë, duke demonstruar se ngrënia e çokollatës së zezë parandalon diabetin e tipit 2, kjo do të kërkonte një provë klinike në një grup të madh njerëzish: gjysmës së tyre do të duhej t’i "administrohej” çokollatë e zezë, gjysmës tjetër çokollatë me qumësht për t’i ndjekur me dekada: një eksperiment jorealist dhe i shtrenjtë për të hetuar lidhjen midis një ushqimi të vetëm dhe një sëmundjeje kronike siç është diabeti.

Përfitimet e çokollatës së zezë: roli i flavonoideve

Por pse atëherë dolën këto rezultate nga studimi? Si mund të shpjegohen? “Çokollata e zezë dhe ajo me qumësht kanë sasi të ngjashme të kalorive, sheqernave dhe yndyrave të ngopura, – hipotezon autori i parë, profesor Qi Sun, – por çokollata e zezë përmban më shumë kakao dhe ky mund të jetë çelësi i përfitimeve të saj shëndetësore. Kakao është një ekstrakt i fasules i pasur me fibra dhe komponime të dobishme bimore të quajtura flavonoide. Shumë kërkime sugjerojnë se flavonoidet kanë efekte antioksiduese dhe anti-inflamatore dhe mund të ndihmojnë në mbajtjen e enëve të gjakut të pastra, gjë që mund të shpjegojë përfitimet shëndetësore të kakaos. Disa studime të vogla klinike sugjerojnë se konsumimi i çokollatës së zezë ose kakaos mund të ulë presionin e gjakut dhe të përmirësojë ndjeshmërinë dhe rezistencën ndaj insulinës, të dy faktorë që ndikojnë në rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2”.

Dështimi i suplementeve

Jo të gjitha studimet kanë gjetur efekte të dobishme dhe disa kanë përdorur suplemente të përqendruara të kakaos që përmbajnë më shumë flavonoidë sesa një çokollatë e zezë tipike.

“Suplementet e bazuara në flavonolet e koncentruara nga kakaoja, nuk janë efektive, – nënvizon Stefano Erzegovesi, – dhe ky është një shembull më shumë i efektit sinergjik të ushqimeve natyrale: flasim për flavonolet, por efekti i kakaos mund të lidhet me mijëra mikroelementë të tjerë sinergjik, të cilat ndoshta nuk janë zbuluar ende”.

Çfarë dhe sa çokollatë të zezë mund të hani

“Për çokollatën, – reflekton Erzegovesi, – si dhe për kafenë (janë ‘të afërm’ për sa i përket llojit të flavinodeve që përmbajnë dhe jo çuditërisht të dyja janë shumë të hidhura), në doza të ulëta mbizotëron vlera antioksiduese, pra efekti i dobishëm. Në doza të larta, megjithatë, mbizotërojnë substanca të cilat në tepricë nuk janë të mira për shëndetin: kafeina për kafenë, sheqeri dhe yndyrat e ngopura për çokollatën”.

Çokollata e zezë mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme, por është më mirë të zgjidhni një varietet me të paktën 70% kakao: “Është një kompromis i drejtë mes shumë flavonoideve, por jo shumë e hidhur si 90% dhe pak sheqernave”, thotë Erzegovesi. 

Një delikatesë që ju bën mirë (sigurisht pa e ekzagjeruar) janë arrat e mbuluara me çokollatë të zezë, pasi arrat përmbajnë edhe fitonutrientë, yndyrna të shëndetshme dhe fibra. Doza e duhur?

“Dhjetë gramë në ditë, - rekomandon dietologu Erzgovesi, - që është e barabartë me dy katrorë të vegjël ose një katror të madh”.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë