Nga Gazeta 'SI' - Shqipëria ka një nivel më të lartë të kredisë së keqe se rajoni.
Një anketë e fundit nga Banka Europiane e Investimeve e nxjerr Shqipërinë me stokun më të lartë të kredisë me probleme se mesatarja e Europës Qëndrore Lindore dhe Juglindore.
Sipas parashikimit të BEI, treguesi do të ulet në muajt e ardhshëm në pritje të një përmirësimi të cilësisë së kredisë për bizneset e vogla, por do të mbetet e lartë për korporatat.
Të gjithë segmentet pasqyruan ecuri pozitive përveç kredisë në monedhë të huaj. Kushtet e ofertës së kredisë (duke treguar gatishmërinë e bankave për të dhënë kredi për klientët e tyre) janë shtrënguar dhe pritet të shtrëngohen më tej, ndërkohë që tendenca rajonale është neutrale.
Nevoja për inventar dhe kapital qarkullues është arsyeja kryesore e rritjes së kërkesës për kredi, së bashku me pritjet për zhvillime pozitive në tregun e banesave. Kërkesa e familjeve pritet të mbetet forca shtytëse për kërkesën për kredi gjatë gjashtë muajve të ardhshëm.
BEI pret që kërkesa të zbutet, por të mbetet e qëndrueshme.
Anketa raporton se bankat ndërkombëtare që operojnë në rajon kanë deklaruar fitime më të ulëta në Shqipëri dhe e vlerësojnë tregun shqiptar me potencial mesatar 67% dhe me potencial të lartë 33%.
Aksesi në financim mbeti në territor pozitiv pas një viti rënie dhe pritet të përmirësohet më tej në gjashtë muajt e ardhshëm, por sërish më i ulët se në rajon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.