Nga Gazeta 'SI' - Nga janari në shtator, në Shqipëri kanë hyrë 772 mln euro në formën e remitancave, dërgesa nga emigrantët.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm në tremujorin e tretë erdhën 262 mln euro, por kulmi ishte gjatë tremujorit të dytë, me 268 mln euro, shifra më e madhe e raportuar. Rënia e dërgesave përgjatë verës duket se lidhet me ardhjen e emigrantëve në Shqipëri, pa krijuar nevojën e transfertave elektronike të parasë.
Gjithsesi në raport vjetor, dërgesat gjatë tremujorit të tretë janë rritur me 12.4%. Në total, nga janari në shtator 2024 në Shqipëri kanë hyrë rreth 100 mln euro më shumë se e njëjta periudhë e 2023-shit.
Si një vend i lidhur ngushtë me remitancat, anëtarësimi në SEPA, pritet t’i ‘kursejë’ shqiptarëve 20 mln euro. Përmes SEPA-s, ku Shqipëria do të jetë zyrtarisht pjesë në muajin prill 2025, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kryejnë pagesa dhe transferta ndërkufitare sikur të ishin qytetarë të Bashkimit Evropian dhe anasjelltas.
Ndërkohë, pak muaj më parë, një studim i Qendrës ALTAX, gjeti se dëmi që ka shkaktuar emigrimi masiv i shqiptarëve, nuk amortizohet dot nga dërgesat e parave që ato sjellin në atdhe. Remitancat kanë një ndikim në konsum 7-8% të PBB-së me një ndikim kryesor në ekonomitë e vogla, por pa një peshë ndikuese në rritjen ekonomike formale. Te ndikimi në treguesit ekonomikë të vendit, shihet se emigracioni ka pakësuar me të paktën 12-15% ofertën e punës në treg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.