Ka ndodhur

Sekuestrohet 1 kg kokainë me vlerë 270 mijë euro, arrestohen dy të rinj në Tiranë (foto)

Gazeta Si – Dy persona janë arrestuar gjatë një operacioni antidrogë në Tiranë, ku gjatë aksionit u janë sekuestruar 1 kg e 50 gramë kokainë, me vlerë 270 mijë euro nëse do të shitej në treg.

Njëri prej tyre është Klajdi Serjani, 24 vjeç, i cili rezulton të jetë nipi i Pajtim Serjanit, një personazh i njohur për blutë e Tiranës i dënuar më parë për gjobëvënie, i cili i ka shpëtuar një atentati në 2015, ndërsa njihet edhe si miku i Emiljano Shullazit.

Ndërsa i arrestuari tjetër është Euxhenjo Manushi, 20 vjeç, djali i një muzikanti të muzikës tallava. Operacioni policor u kodua “Fam Fanz” për shkak të mbishkrimeve të njëjta mbi pakon me drogë, vlera e së cilës nëse hidhej në treg arrinte në 270 mijë euro.

“Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve operacioni policor i koduar “Fam Fanz”, i ndjekur me metoda proaktive. Gjatë operacionit goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në qytetin e Tiranës. Sekuestrohen 1 kg e 50 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë (me vlerë tregu rreth 270 000 euro). Policia ka kapur në flagrancë 2 shtetasit që ushtronin këtë veprimtari kriminale. Vijon intensivisht puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, – njofton policia.

Euxhenjo Manushi (majtas) dhe Klajdi Serjani

Të rinjtë janë lokalizuar në rrugën “Kastriotët”, në automjetin me drejtues shtetasin Klajdi Serjani dhe pasagjer shtetasin Manushi.

Gjatë kontrollit fizik të shtetasit Klajdi Serjani, shërbimet e policisë i gjetën 1 kg e 50 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Lënda narkotike, së bashku me një shumë parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Burime paraprake, bëjnë me dije se Klajdi Serjani, është nipi i Pajtim Serjanit, një prej personazheve të njohur të botës së krimit në kryeqytet, miku i Emiljano Shullazit, teksa në vitin 2015 i ka shpëtuar edhe një atentati me armë zjarri në “rrugën e Kavajës” në një lokal.

Pajtim Serjani

Ai është arrestuar dhe dënuar për gjobëvënie me tre vite, ndërsa aktualisht është i lirë, pasi e ka përfunduar dënimin.

Serjani u dënua për gjobëvënie ndaj një biznesmeni në vitin 2014. Në vitin 2015, Serjanit i është bërë atentat të “Rruga e Kavajës”, ndërsa lidhur me këtë ngjarje asokohe u arrestuan Aurel dhe Amarildo Hoxhallari.

Serjani njihet si miku i Emiljano Shullazi, i dënuar dhe prej vitesh në burg për grup të strukturuar kriminal.

Në shtator 2017, policia i sekuestroi Serjanit katër makina të blinduara më vlerë 1 milion euro. Tre prej makinave rezultuan të trafikuara nga vendet e BE, njëra prej të cilave me targa të falsifikuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë