Gazeta Si – David Beckham është 49 vjeç dhe prej 11 vitesh nuk luan më në nivel profesionist, duke u fokusuar më shumë tek aktiviteti i tij sipërmarrës dhe tek Inter Miami, skuadra që zotëron.
Megjithatë, ish-mesfushori anglez, i cili fitoi gjashtë tituj të Premierligës dhe një titull të Champions League me Manchester United, si dhe triumfet me Real Madridin dhe Los Angeles Galaxy, ka ruajtur fizikun e një sportisti për t’u pasur zili edhe nga ata që janë në mes të karrierës së tyre.
Falë një rutine të “bio-hacking”-ut, me vlerë një milion euro në vit, domethënë një program për t’u mbajtur në formë, duke përfshirë pajisje të ndryshme, nutricionistë, suplemente, trajnerë personalë dhe makineri të specializuara rikuperimi.
Zgjimi herët dhe pa pesha
Në vitin 2020, Beckham investoi shumë më tepër miliona në “F45 Training”, një ekskluzivitet fitnesi i njohur për stërvitjen me intervale me intensitet të lartë. Një zinxhir që ka mbi 2000 studio në 60 vende të botës, palestra ku anglezi është mysafir i rregullt.
Ditët e tij nisin shumë herët, që në orën 5.30 të mëngjesit. Kur të gjithë janë ende në gjumë, ish-mesfushori i kombëtares së “Tre Luanëve”, i përkushtohet punës së saktë të lëvizshmërisë në shtëpi për 30 minuta, një zakon që ai e ka ruajtur që nga ditët e tij te Manchester United.
Nuk ka pesha ose ushtrime me makina specifike. Fillimisht nis me ushtrime shtrirjeje dinamike, më pas vjen rrotullimi me shkumë, duke synuar pika specifike të identifikuara gjatë dekadave të trajnimit. Qëllimi është parandalimi i lëndimeve dhe ruajtja e fleksibilitetit si sportist.
Palestra dhe çfarë ha
Por kjo është sa për nxehmje. Në orën 7 të mëngjesit, Beckham shkon në studion “F45” për një seancë stërvitore 45 minutëshe.
Çdo stërvitje është një përzierje e ushtrimeve shpërthyese dhe forcës. Nuk ka dy seanca të njëjta, në mënyrë që trupi të marrë gjithmonë stimulim të ri.
Në orën 9, ngrënia e mëngjesit, i cili duhet të jetë i pasur me proteina si dhe të përfshijë karbohidrate komplekse, yndyrna të shëndetshme dhe fruta të freskëta.
Më pas në orën 14:00 një stërvitje e dytë që fokusohet në përzierje të shumta të forcimit të muskujve: squats, ngritje nga toka, muskuj barku.
Not, ushtrime, joga dhe meditim
Në orën 16:00 është koha për rikuperim aktiv, p.sh. not i lehtë, ushtrime të trupit të koordinuara me frymëmarrjen, joga.
Kjo e ndihmon atë të zvogëlojë tensionin e muskujve, të përmirësojë fleksibilitetin dhe të rikuperohet nga stërvitjet e mëparshme.
Së fundmi, para se të shkojë në shtrat, Beckham ndjek një rutinë të strukturuar rikuperimi, me banja akulli, terapi kontrasti (alternimi i stimujve të ftohtë dhe të nxehtë) për trupin e tij. Pa lënë pas dore meditimin.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.