Në Toronto të Kanadasë u zhvillua Festivali i Librit Shqip.
Festivali u organizua nga shoqata “Alternativa Shqiptaro-Kanadeze për Zhvillim”. Ky festival libri siç shprehen dhe organizatorët ka si synim promovimin e trashëgimisë dhe kulturës letrare të kombit tonë nëpërmjet librit shqip.
Ky projekt është i pari i këtij lloji në fushën e letrave shqipe që organizohet në Toronto, ku ka gjetur entuziazmin dhe mbështetjen e komunitetit shqiptar. Në dy ditë intensive të panairit, u prezantuan 750 tituj librash, nga 81 shtëpi botuese dhe 388 autorë, duke e bërë një projekt unikal në llojin e tij, në të gjithë Amerikën e Veriut.
Anxhela Paparizo, drejtore për Artin dhe Kulturën në bordin drejtues të organizatës, tha se ky festival libri është më tepër se një paradë e letrave shqipe në një vend të huaj.
“Ky është një shans për të zhvilluar më tej letërsinë shqipe në komunitetin shqiptar në Amerikën e Veriut dhe për të mbajtur gjallë dashurinë për gjuhën tonë të bukur shqipe”, u shpreh Paparizo.
Ajo falënderoi më tej gazetarin Enkel Demi, fitues i çmimit të Panairit të librit në Tiranë, për këtë vit për praninë dhe përkrahjen e Festivalit të Librit Shqip në Toronto.
Alternativa Shqiptaro-Kanadeze ka besim se Festivali i Librit Shqip në Kanada do t’i rezistojë kohës dhe nisma e sotme do të kthehet në traditë duke synuar që ky aktivitet të vazhdojë të mbahet për çdo vit me qëllim që të tërheqë vëmendjen e të gjithë komunitetit shqiptar jo vetëm në Toronto e Kanada por në tërë Amerikën e Veriut e më gjerë. (ATA)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.