Gazeta Si - Policia e Vlorës ka arrestuar një 51-vjeçar, Abaz Rohani (alias Gjolek Memet), i dyshuar si autor i plagosjes me thikë të Xhafer Kamberit, ngjarje që ndodhi mbrëmjen e së dielës.
Pas disa orësh kërkime, efektivët arritën të gjejnë autorin të fshehur në banesën e vëllait të tij.
Ngjarja në fjalë ndodhi të dielën në lagjen "15 Tetori". Pas një konflikti për motive të dobëta, 51-vjeçari plagosi me thikë një person, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Policia thotë se po vijon kontrollet me qëllim gjetjen e thikës me të cilën u krye plagosja.
“Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Komisariati i Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, ku u plagos me mjet prerës, një shtetas, organizuan punën duke ushtruar kontrolle për kapjen e autorit. Si rezultat, pas disa orësh kërkime, u gjet në banesën e vëllait të tij (aktualisht e pabanuar), në lagjen “Partizani”, dhe u arrestua në flagrancë shtetasi: A. R. alias Gj. M., 51 vjeç, banues në Vlorë. Ky shtetas dyshohet se më datë 01.12.2024, rreth orës 20:27, në lagjen “15 Tetori”, pas një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin Xh. K., 41 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, në kujdesin e mjekëve", sqaron policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.