Politike

Shpërthimi në veri të Kosovës, Berisha: Skenar i Rusisë së vogël!

Nga Gazeta ‘SI’ – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka reaguar në lidhje me sulmin e ndodhur sot në kanalin e Ibër Lepencit në veri të Kosovës, duke thënë se qëllimi i këtij sulmi është destabilizimi i Kosovës.

Kryedemokrati ka shtuar se sulme të tilla janë tipike të “Rusisë së vogël” dhe i shkojnë për shtat interesave të Moskës.

“Së pari dua të dënon me forcën më të madhe, aktet terroriste në Zubin-Potok, Zveçan të furnizimit me ujë të qytetarëve të Kosovës, por edhe institucionet e Kosovës në ato territore.

Këto akte terroriste të cilat zhvillohen pas shpalljes nga presidentja e Kosovës të datës së zgjedhjeve dhe shprehjes së vullnetit të Listës Serbe për marrjen pjesë në këto zgjedhje, kanë synim madhor destabilizimin e atij rajoni dhe dekurajimin e serbëve, për të marrë pjesë në proceset demokratike, në Kosovë në vendin e tyre.

Këto akte janë një aktakuzë e rëndë e Beogradit, i cili kërkon me çdo kusht një zonë konfliktuale të re, kërkon me çdo kusht, destabilizimin e Kosovës.

Natyrisht një skenar i tillë, është skenar tipik i Rusisë së vogël, që i shkon në interesin më të madh edhe të Kremlinit.

Situata në Kosovë, kriza e konservuar në Kosovë, është rrjedhojë e qëndrimeve fund e krye konfliktuale të Beogradit, synimit të tij për të mbajtur shtetin serb në Kosovë dhe për të zmadhuar siç shprehej vetë Vuçiçi Serbinë, duke nënkuptuar këtë zmadhim me territoret e Kosovës.

Kjo situatë është në interesin më të mirë të Kremlinit, i cili kërkon që krahas fronit të luftës në agresionin që bëri ndaj Ukrainës, të ketë edhe një konflikt tjetër në Ballkan, po në interesa të tij. ”, u shpreh Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë