Para

Nga java e dytë e dhjetorit deri në fund të qershorit, 724 mijë pensionistë gati të tërheqin bonusin e fundvitit

Nga Gazeta 'SI' - Pensionistët mund ta tërheqin bonusin e tyre të fundvitit deri më 30 qershor 2025.

Në vendimin e qeverisë thuhet se shpërndarja e 100-150 eurove do të nisë javn e dytë të dhjetorit, për 724 mijë pensionistë, sipas kategorive.

Nga ky numër, 511 mijë do të marrin 15 mijë lekë shpërblim pasi kanë pension mujor nën 20 mijë lekë dhe pjesa tjetër prej 213 mijë do të marrin 10 mijë lekë bonus pasi kanë pension mbi 20 mijë lekë.

Shpërblimin e fundvitit do ta përfitojnë edhe personat me pension pleqërie, invaliditeti, pension familjar, social, ata me pension të parakohshëm, ish minatorët, ushtarakët, ato që janë përfitues të ndonjë trajtimi të financiar, apo me shpërblimin financiar, si veteranë të LANÇ-it etj.

Në vendim thuhet se shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2024 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Pra së bashku me pensionin mujor të gjithë përfituesit do të marrin edhe shpërblimin e fundvitit i cili mund të tërhiqet deri në 30 qershor 2025 dhe më pas ai digjet.

“Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2024, ato paguhen deri në datën 30.6.2025. Shpërblimet e pa tërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2025”, thuhet në vendim.

Pagesat e shpërblimit të fundvitit do të mund të tërhiqen në të njëjtin vend ku merret edhe pensioni, pranë ISSH, Postës shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.

Ndërkohë, më herët, kryeministri Edi Rama lajmëroi se do të ketë një bonus tjetër për pensionistët gjatë pranverës, por mbështetur dhe në ecurinë e ekonomisë së vendit. Në pritje të zgjedhjeve parlamentare, kryeministri bëri thirrje që pensionet të mos përdoren si mjet politik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë