Njerez

KLSH: Agjencitë e huaja të birësimeve pa licencë, institucionet nuk ‘hetojnë’ familjet birësuese

Nga Gazeta Si- Aktualisht, legjislacioni në fuqi në fushën e birësimeve nuk parashikon kritere të qarta dhe të plota sa i takon kufirit maksimal të moshës së birësuesit/birësuesve, qëndrueshmërisë e sigurisë së lidhjes martesore në kohë për aplikantët birësues të martuar dhe kriterit ekonomik për aplikantët birësues.

Në këtë përfundim arrin Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) pas një auditimi të bërë për procesin e birësimit të fëmijëve.

Konkretisht, shkruhet në auditimin e KLSH, në Kodin e Familjes nuk parashikohet mosha kufi ku aplikantëve birësues u lejohet të paraqesin kërkesën për birësim. Në ligjin për birësimet nuk ka përcaktime ku të flitet për qëndrueshmërinë dhe sigurinë e lidhjes martesore në kohë siç parashikohet në legjislacione të tjera (si Për shembull, në Itali çifti duhet të jetë i martuar të paktën 3 vjet dhe jetesa e përbashkët të mos ketë patur shkëputje).

“Po kështu, përshtatshmëria ekonomiko financiare e aplikantëve birësues gjykohet pa patur një kriter të saktë reference”, shkruan KLSH.

Sipas vlerësimit të KLSH, mungesa e kritereve të qarta e të sakta orientuese në funksion të vendimmarrjes së Këshillit Drejtues, i lë këtij të fundit barrën për të gjykuar dhe vendosur mbi përshtatshmërinë dhe pëlqimin për birësim pa i dhënë këtij instrumentet ligjor për një vendimmarrje në interesin ekskluziv të fëmijës.

Në ligjin për birësimet parashikohet se, shtetasit shqiptarë rezident jashtë vendit dhe që duan të birësojnë mund ti drejtohen direkt Komitetit për të kryer këtë proces, me kusht që vendimi gjyqësor shqiptar i birësimit të sjellë pasoja juridike në vendin e tyre të rezidencës.

Por, gjetjet tregojnë se KSHB, në këtë drejtim, nuk ka zbatuar ligjin gjithmonë në mënyrë uniforme, duke detyruar shtetasit shqiptarë të aplikojnë përmes agjencive ndërmjetësuese të huaja ku, ata detyrohen të paguajnë tarifa shumë të larta krahasuar me tarifën që duhet të paguajnë në rast se aplikojnë direkt në Komitet.

“Mos zbatimi i dispozitës ligjore, sa i takon shtetasve shqiptar rezident jashtë vendit, ka sjellë një trajtim të diferencuar ndaj tyre, duke i mohuar të drejtën për të aplikuar e përfundimisht mundësinë për të birësuar një fëmijë shqiptar”.

Nga të dhënat e vendosura në dispozicion nga KSHB, për periudhën 2019 - 2023 janë kryer në total 40 birësime ndërvendase, nga të cilat 32 birësime ndërvendase me ndërmjetësim të agjencive dhe 8 me autoritete qendrore.

Sipas ligjit për birësimet, veprimtaria e agjencisë birësuese mbaron kur mbaron afati për të cilin është dhënë licenca për veprim në vendin tonë dhe në vlerësimet e KLSH vërehet se Komiteti Shqiptar i birësimeve ka vijuar të kryejë procedura birësimi me agjencitë ndërmjetësuese të huaja edhe pas përfundimit të vlefshmërisë së licencave të tyre.

“Nga sa më sipër kuptohet se kanë ushtruar veprimtari në vendin tonë pa licencë”.

Gjithashtu, në auditim vërehet se mbledhjet e Këshilli Drejtues në KSHB nuk diskutojnë në detaj plotësimin e kritereve të përshtatshmërisë për birësim dhe dhënies së pëlqimit për birësim.

“Gjatë këtij auditimi është evidentuar se Këshilli Drejtues i KSHB-së ka patur aktivitet intensiv përgjatë gjithë periudhës 2019 – 2023 por nga shqyrtimi i procesverbaleve të mbledhjeve të mbajtura gjatë viteve, evidentohet se diskutimet e kryera në këtë këshill në shumicën e rasteve nuk janë të detajuara në drejtim të analizimit të kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për të marrë përshtatshmërinë. Asnjëherë nuk bëhet analizë sipas çdo kriteri, por më shumë komentohet ngjashmëria e fëmijës me prindërit birësues. Gjatë procesit të dhënies së pëlqimit për birësim në asnjë rast nuk diskutohen në detaj situatat e ndryshme të fëmijëve dhe çifteve, si dhe nuk zgjerohet diskutimi mbi arsyet përse aplikantët birësues janë të përshtatshëm për një fëmijë të caktuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë