Shendet

Cigaret ‘vape’ (edhe pa nikotinë) ndikojnë në shëndetin e enëve të gjakut dhe nivelet e oksigjenit

Cigaret “vape” kanë një efekt të menjëhershëm në mënyrën se si funksionojnë enët e gjakut të përdoruesit, edhe nëse cigarja nuk përmban nikotinë, sipas një studimi të ri.

Hulumtimi, i cili u prezantua në takimin vjetor të Shoqatës Radiologjike të Amerikës së Veriut tregoi se përdorimi i një cigareje ‘vape’ me ose pa nikotinë ndikoi në nivelin e oksigjenit.

Do të nevojiten më shumë kërkime për të vërtetuar gjetjet dhe për të studiuar efektet në afat të gjatë por shkencëtarët thonë se këto rezultate mund të nënkuptojnë se përdorimi i rregullt i këtyre cigareve mund të çojë në sëmundje vaskulare.

"Njerëzit gabimisht besojnë se cigaret ‘vape’ janë alternativa më të sigurta ndaj cigareve me bazë duhani, por kjo në fakt nuk është e vërtetë," tha Dr. Marianne Nabbout, autorja kryesore e studimit.

“Edhe nëse nuk ka nikotinë në cigare, mund të ketë përbërës të tjerë që mund të jenë të dëmshëm”, tha Nabbout.

Nabbout tha se qëllimi i studimit është të ndihmojë rregullatorët teksa marrin vendime se cili prej këtyre produkteve duhet të qëndrojë në treg.

Cigaret elektronike janë në treg pa rregullore prej vitesh.

Disa mjekë rekomandojnë cigaret ‘vape’ për t'i ndihmuar njerëzit të lënë duhanin dhe prodhuesit ia kanë paraqitur këtë argument FDA-së, por studimet kanë treguar se cigaret elektronike nuk i ndihmojnë njerëzit ta lënë duhanin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë