Ekonomi

Shpenzimet kapitale në shifra modeste. Buxheti i shtetit 58 mld lekë suficit në 10-mujor

Nga Gazeta 'SI' - Në 10 muaj, qeveria ka mbledhur 589 mld lekë nga taksat dhe ka shpenzuar 517 mld lekë.

Sipas ministrisë së Financave, të ardhurat janë realizuar në masën 99.8% të planit të periudhës, ndërsa shpenzimet 91.7%. Buxheti rezulton me një suficit pre 72 mld lekësh.

Të ardhurat

Nga një vit më parë, janë arkëtuar 11% më shumë të ardhura, ose 58 mld lekë më shumë. Arkëtimet e Doganave rezultuan në 190.4 mld lekë, 6.4% më shumë se një vit më parë. Nga TVSH në import u mblodhën 128 mld lekë, 6% më shumë se një vit më parë. Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 52.5 miliardë lekë,  9.3% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, me një realizim në masën 105% kundrejt planit për 10-mujorin 2024.

Të ardhurat tatimore të mbledhura nga administrata tatimore për 10-mujorin 2024 u realizuan në masën 189 miliardë lekë, 21 miliardë lekë ose 12.6 % më shumë se 10-mujori  i vitit të kaluar.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto) u realizua në masën 49 miliardë lekë, 21.7 % më shumë se 10-mujori 2023. Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 47 miliardë lekë, 182 milionë lekë ose 0.4 % më shumë se plani i 10 -mujorit të vitit 2024 për Tatimin mbi Fitimin. Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 54.9 miliardë lekë, 13.5% më shumë se 10-mujori 2023.

Shpenzimet

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 10 mujore të vitit 2024, arritën në rreth 517 miliardë lekë me një realizim në masën 91.7 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023 ky zë ka rezultuar 7.1 përqind më i lartë ose rreth 33 miliardë lekë më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 10 mujorin e vitit 2024 u realizuan në masën 70.1 përqind të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 67.0 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3 datë 28.08.2024.

Shpenzimet korente, për periudhën 10 mujore të vitit 2024, rezultuan në rreth 462.9 miliardë lekë dhe ato kapitale me 54 mld lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë