Politike

Ilir Meta, letër nga burgu PL: Nisni protestat te SPAK-u, denonconi manipulimet ndaj meje

Gazeta Si - Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar me një letër publike anëtarëve, simpatizantëve dhe Kryesisë të Partisë së Lirisë.

Në letrën e lexuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, Meta iu kërkon mbështetësve që të nisin protestat para SPAK-ut dhe të denoncojnë provat kundër tij.

“Të nisin protestat paqësore periodike para SPAK për të denoncuar të gjitha manipulimet skandaloze të tyre në dosjen kundër meje dhe për të denoncuar aferat skandaloze të Edi Ramës që SPAK nuk i heton”, thuhet ndër të tjera në letrën e Metës dërguar PL-së.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme e Apelit la të pandryshuar masat e sigurisë ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-gruas së tij Monika Kryemadhi.

Deputetja do të hetohet nën masën "detyrim paraqitje", ndërsa ish-bashkëshorti i saj, në "arrest në burg". Të dy ata akuzohen nga SPAK për "korrupsion", "pastrim parash" dhe "mosdeklarim të pasurisë".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë