Politike

Deputetët: Ndryshime ligjore në Kuvend për mbrojtjen e fëmijëve. Koçiu: Të bashkëpunojmë për rritjen e sigurisë!

Nga Gazeta ‘Si’- Grupi i deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” mbajti sot një takim ku u shpreh gatishmëria për ndryshime në kuadrin ligjor për mbrojtjen e tyre, nisur edhe nga ngjarja e fundit ku u vra 14 vjeçari Martin Cani para shkollës 'Fan Noli'.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu duke u ndalur te ngjarja tragjike, tha se mbështet nismën e Ministrisë së Arsimit për një plan të koordinuar institucional për sigurinë në shkolla.

"Orientimi, bashkëpunimi dhe unifikimi i politikave për një ambient të sigurt në shkolla do të prodhojë më shumë siguri. Ndaj, të bëhemi të gjithë bashkë për një qëllim madhor: mbrojtjen dhe edukimin e brezit të ri. Duhet të jemi së bashku të gjithë aktorët, institucionet shtetërore, pushteti vendor, komunitetet, partnerët, shoqëria civile, media, për të luftuar fenomene të tilla dhe për të adresuar problematika kaq serioze. Ndaj t’i bashkohemi këtij plan-veprimi, ta mbështesin dhe përmirësojnë atë me propozime produktive, nëse kanë vullnetin pozitiv për të kontribuar për një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj, larg dhunës”, apeloi ministrja.

Ndërsa kryeparlamentarja Elisa Spiropali kërkoi nga deputetët që të bëhet një rivlerësim i kuadrit ligjor dhe t’i propozohen ndryshime Kuvendit.

“Të bëjnë një rivlerësim të kuadrit ligjor dhe nënligjor, si dhe veprimtarisë së agjencive për mbrojtjen e fëmijëve dhe t’i paraqesë sa më shpejtë Kuvendit propozimet ligjore dhe rekomandimet përkatëse. Grupi i deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” që funksionon në Kuvend në tre legjislatura, ka qenë një mbrojtës i të drejtave të fëmijëve përmes miratimit të legjislacionit të duhur, përmes kontrollit të qeverisë për zbatimin efektiv të reformave. Arritje të konsiderueshme në përkthimin në akte ligjore të të drejtave të fëmijëve”, u shpreh ajo.

“Hartimi i rezolutave mbi të drejtat e këtyre problemeve dhe zbatimi i një procesi permanent të bashkëpunimit përgjatë historisë së tij, grupi i deputetëve 'Miqtë e fëmijëve' kanë arritur këto rezultate: hartimi i rezolutave mbi problemet e të drejtave të fëmijëve, ndërtimi i një procesi të gjatë bashkëpunimi me fëmijët dhe nxënësit e shkollave, shoqërinë civile dhe partnerët tanë, prodhimi i disa projektligjeve në fushën e drejtësisë për të miturit, sensibilizimi i shoqërisë dhe institucioneve”, përfundoi Spiropali.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë