Treg

Shqiptarët i blenë ilaçet më shtrenjtë në 2023-shin. Ministria e Shëndetësisë nuk reflektoi uljen e euros

Nga Gazeta 'SI' - Shqiptarët kanë paguar më shtrenjtë barnat gjatë vitit 2023, si pasojë e mosreflektimit të kursit të këmbimit në çmim.

Gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, KLSH, bëjnë përgjegjës Agjencinë Kombëtare të Barnave pasi gjatë gjashtëmujorit të dytë 2023, nuk ka ndryshuar kursin e këmbimit për barnat sipas VKM-së, që përcakton ndryshimin e kursit të këmbimit për barnat çdo 6 muaj.

Konkretisht, KLSH tregon se Agjencia ka operuar me kursin 1 euro = 116.79 lekë (kursi mesatar i këmbimit të BSH – së për 6 mujorin e dytë të 2022) ndërkohë që në 6 mujorin e dytë të vitit 2023 ka patur një rënie të kursit mesatar deri në 112.86 lekë për 1 euro.

Përgjatë kësaj periudhe (6 mujori i dytë i vitit 2023), çmimet e tregtimit me pakicë të barnave të importuara nuk kanë reflektuar uljen me 3.93 lekë të vlerës së blerjes së 1 euro.

KLSH përmend rastin e barit Sodium Chloride/vioser (serum) që u ka kushtuar 4% më shumë shqiptarëve gjatë 6-muajve të fundit të 2023-shit .

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka publikuar në faqen zyrtare regjistrin e barnave me çmimet CIF (importit) dhe EXW (prodhimit), sikundër kërkohet. Po kështu edhe në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, është publikuar regjistri i barnave sipas autorizimeve përkatëse për tregtim, por edhe ky regjistër nuk  publikuar çmimin CIF të barnave, gjithashtu, regjistri i tyre në muajin Janar 2024 rezulton i pa përditësuar me autorizimet e reja të tregtimit dhe ri autorizimet e tregtimit.

“Detajet e barnave dhe rivlerësimi i të dhënave të tyre mund të ndikojnë në transparencën e procesit të përcaktimit të çmimeve të barnave, duke krijuar sfida për profesionistët e shëndetit dhe pacientet në përdorimin dhe qasjen në barna të rëndësishme për shëndetin publik.

Është e rëndësishme që Agjencia të përmirësojë transparencën dhe qasjen në këto të dhëna për të siguruar që trajtimi i të dhënave të barnave dhe çmimet e tyre janë të përcaktuara me saktësi dhe transparencë për të mirën e pacientëve dhe shoqërisë në përgjithësi”, thekson Kontrolli i Lartë në auditin për tregun e barnave në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë