Nga Gazeta 'Si'- Deputetja e PD Ina Zhupa ka ngritur edhe sot në Kuvend ngjarjen e rëndë të vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani në Tiranë.
Zhupa kërkoi 1 minutë heshtje, ndërsa tha se ishte ngjarje e paralajmëruar pasi konflikti kishte nisur brenda ambienteve të shkollës ‘Fan Noli’.
Ajo kërkoi dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu e cila nuk është e pranishme në seancë.
“Ishte më e rëndë se ishte një ngjarje në oborrin e shkollës, ishin njoftuar mësues, oficer sigurie, kishte që të premten që ndodhte. Doja t’i kërkoja këtij kuvendi 1 minutë heshtje dhe do doja të caktoja një orar që të ishim të gjithë dhe të ulnim kokën të gjithë se fajin e kjo ka qeveri.
Uroj që zonja Manastirliu që s’ka ardhur këtu të jetë duke nënshkruar dorëheqjen. Kur ne kemi ngritur zërin për oficerët dhe psikologët në shkolla është zgërdhirë Manastirliu. Pakteta e sigurisë në shkolla ku u çua, te hashashi, te droga që hyn nëpër shkolla?
Thika, biçaku kjo është paketa!
Si ka mundësi të nderuar kolegë që ne duhet ta kalojmë këtë me normalitet dhe nuk duhet të kërkojmë përgjegjës, nuk duhet të flasim? Ne duhet të jemi të parët që të ngremë zërin, ju doni ta amnistoni ministren Mansatrilu dhe të amnistoni Hoxhën. Ne flasim për skandal vetëm kur ka një vdekje.
Fan Noli ishte e para për rezultatet më të mira, a do flasim për këtë a jo? Po ju them një gjë, Serbia me Kosovën është sjellë njësoj si silleni ju me fëmijët tanë”, tha Zhupa.
“Ngjarjen tragjike që na ka tronditur të tërëve, e përdorët për të bërë politikë procedurën”, iu përgjigj Spiropali.
Ndërkohë ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla u shpreh në Kuvend se opozita është duke e përdorur vdekjen e Martin Canit pranë shkollës 9-vjeçare ‘Fan Noli’ në Tiranë, për debat politik.
"Humbja e jetës së atij nxënësi dhe atij djali të ri na ka prekur të gjithë. Është një përgjegjësi që na takon të gjithëve dhe bëhet me e madhe kur ngjarje kaq të rënda keqpërdoren për debat politike. Kanë 30 vite që përdoren, ti nuk kishte lindur kur ngjarje të tilla përdoreshin për politikë zonja Zhupa.
Ne kemi përgjegjësi për modelin që japim. Unë e kam bindje që na duhet një qasje tjetër sa i përket garantimit të perimetrit të sigurisë në shkolla, luftës kundër përdorimit të lëndëve narkotike dhe keqpërdorimit të rrjeteve sociale. E dashur kolege sot duhet të bëhemi bashkë për të kaluar ato propozime për sigurinë në shkolla, na duhet t'i dyfishojmë ndëshkimet penale ndaj atyre që shesin dhe shpërndajnë lëndë narkotike në shkolla.
Unë kisha detyrën që të raportoja për numrin e lartë të personave që shesin lëndë narkotike në shkolla dhe ju ishit kundër. Kjo ngjarje dihet që të na bëjë me përgjegjësi të gjithëve dhe e ftoj opozitën të thotë 'ne jemi gati të mbështesim të gjitha masat drastike dhe ligjore'. Jeni të ftuar në komisionin e ligjeve dhe të ashpërsojmë dënimet penale që lidhen me një qasje të re të garantimit të sigurisë në shkolla. Unë kam djalin sa ishte Martini, nuk bëhet politikë me vdekjen", tha ai.
Balla, komentoi edhe krahasimin që u bë nga opozita se qeveria është duke i trajtuar shqiptarët si Serbia Kosovën. Ai i cilësoi këto deklarata si turp.
‘Ke bërë një krahasim që kjo qeveri po sillet me shqiptarët si Serbia me Kosovën, po turp nuk keni? Po si nuk keni turp që krahasoni ato mijëra vrasje, përdhunime, 20 mijë vajza dhe gra janë përdhunuar nga serbët dhe ju pa pikë turpi thoni që ne po sillemi si Serbia në Kosovë. Kjo është e rëndë! Historia na gjykon për çdo fjalë që themi në këtë sallë’, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.