Drejtësia

Salvador Kaçaj dhe ish-deputeti i PS, Armando Prenga në SPAK për ’21 Janarin’: U pyetëm si protestues

Gazeta Si - Ish-kryekomunari i Shëngjinit, Salvador Kaçaj dhe ish-deputeti i PS, Armando Prenga, janë thirrur sot në SPAK si persona që kanë pasur dijeni në lidhje me protestën e 21 janarit 2011, ku mbetën të vrarë 4 protestues para kryeministrisë.

Kaçaj, pas daljes u shpreh shkurtimisht: “Isha thirrur për 21 Janarin si person që ka dijeni. Kam qenë protestues”.

Armando Prenga

Pas 40 minutave dëshmi, të njëjtën gjë tha dhe ish-deputeti socialist: “Jam thirrur për 21 janarin, si person që kam dijeni, dhashë shpjegime si protestues”, tha Prenga.

Në javët e fundit, në SPAK janë thirrur disa prej ish-funksionarëve të kohës dhe ish-deputetë socialist, Saimir Tahiri ish-deputeti Arben Çudo apo dhe deputeti aktual i PS, Xhemal Qefalia.

Po ashtu, kanë dëshmuar edhe ish-kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ish-zëvendësi i tij, Agron Kuliçaj apo dhe ish-kreu i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi.

SPAK ka nisur veprimet hetimore në lidhje me këtë çështje pasi Gjykata e Lartë i vendosi kompetencën. Një nga detyrat që i ka lënë gjykata është të pyesë të gjithë organizatorët e kësaj proteste si dhe gjithë zyrtarët që kanë pasur detyrë menaxhimin e protestës. Në protestën e 21 Janarit 2011 u vranë nga Garda e Republikës 4 protestues opozitarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë