Rend dhe Ligj

Pse trafikantët zgjodhën Qerekën në Fushë Krujë si bazë! Një prej të arrestuarve, i përfshirë në dy vrasje në Durrës

Gazeta Si - Trafikantët shqiptarë dhe ata ndërkombëtarë ishin vendosur në pika strategjike të infrastruktuës në vend për të pasur akses të lehtë dhe mundësi komunikimi e transporti të shpejtë.

Ata kishin zgjedhur Qerekën në Fushë Krujë si bazë për përpunimin e kokainës, por kishin dhe ambiente ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, të cilat sipas SPAK, ishin vendosur aty jo pa qëllim.

Pranë aeroportit më të madh të vendit dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimikë, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.

SPAK e konsideron nivelin e bashkëpunimit me trafikantët e huaj që do të kryenin ekstradimin e kokainës të një niveli të lartë organizimi që do të bëhej përmes një teknologjie të avancuar.

Ndërkohë, një prej të arrestuarve gjatë operacionit, Baki Huqi, 57 vjeç, rezulton të jetë arrestuar dhe dënuar më herët për 2 vrasje të kryera, njëra në vitin 1997 dhe tjetra në 2013-ën.

Huqi ka qenë i dyshuar për vrasjen e Ardian Xhixhabesit dhe plagosjen e vëllait të tij, Përparim Xhixhabesi, në një sallë bingo në qytetin e Durrësit, pas një grindje që ka nisur për një tavolinë.

Ndërkohë, në vitin 2013, Baki Huqi, bashkë me dy persona të tjerë, vranë në fshatin Radë të Durrësit, Festim Lemjan në një lokal me muzikë, në sherrin e nisur për një balerinë të lokalit. 57-vjeçari nga Xhafzotaj i Durrësit, Huqi rezulton të ishte dënuar edhe para vitit 2013.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë