Gazeta Si - Shangai është qyteti më i ndotur në botë. Kjo u zbulua nga një raport i ri i paraqitur të enjten në COP29 në Baku nga organizata e themeluar nga ish-zëvendëspresidenti amerikan, Al Gore.
Studiuesit kombinuan matjet nga vëzhgimet satelitore dhe tokësore me të dhënat nga inteligjenca artificiale.
Kështu, doli se qytetet që lëshojnë më shumë gazra serë në Tokë, ndodhen në Azi dhe Shtetet e Bashkuara. Konkretisht, shtatë shtete ose provinca emetojnë më shumë se 1 miliard ton gazra serë.
Ato janë të gjithë në Kinë, me përjashtim të shtetit amerikan të Teksasit, një prodhues i madh i naftës, i cili renditet i gjashti.
Hulumtimi i gjurmëve të klimës, përcaktoi sasinë e CO2, metanit dhe oksidit të azotit, si dhe ndotësve të tjerë të ajrit në mbarë botën dhe për herë të parë në më shumë se 9,000 zona urbane.
Ndotja totale e dioksidit të karbonit dhe metanit në Tokë, u rrit me 0.7% në 61.2 miliardë tonë metrikë, me metanin jetëshkurtër, por jashtëzakonisht të fuqishëm që u rrit me 0.2%.
Shifrat janë më të larta se grupet e tjera të të dhënave, "sepse ne kemi një mbulim kaq të plotë dhe kemi parë më shumë emetime në më shumë sektorë, sesa janë zakonisht të disponueshëm", tha Gavin McCormick, bashkëthemelues i “Climate Trace”. Shanghai kryeson këtë renditje të trishtuar me 256 milionë tonë (Mt) gazra serë të emetuar.
Nuk “shpëton” as Tokio, e cila me 250 Mt, do të renditej në mesin e 40 vendeve nëse do të krahasohej me një shtet, ndërsa 160 (Mt) në Neë York City dhe 150 Mt në Hjuston, do të ishin mes 50 vendeve sa i takon emetimeve në rang kombëtar. Seuli, në Korene e Jugut, renditet i pesti midis qyteteve me 142 Mt.
Kina, India, Irani, Indonezia dhe Rusia patën rritjen më të madhe të emetimeve nga viti 2022 në 2023, ndërsa Venezuela, Japonia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, patën rënien më të madhe të ndotjes.
Emetimet përfaqësojnë "kërcënimin më të madh shëndetësor me të cilin përballet njerëzimi", tha Al Gore, i cili e quajti "absurde" që Azerbajxhani, një komb prodhues i naftës, po pret konferencën e klimës të këtij viti, duke qenë selia e puseve të para të naftës në botë, siç ndodhi vitin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe.
“Është për të ardhur keq që industria e karburanteve fosile dhe shtetet e naftës kanë marrë kontrollin e procesit COP në një mënyrë jo të shëndetshme”, tha Gore të enjten.
Inventari i “Climate TRACE”, mund të tregojë se ku qëndrojnë vendet për sa i përket emetimeve të përgjithshme dhe ku ato po bëjnë përparim ose kanë mbetur prapa.
Në faqen “Climate TRACE Country Inventory”, për sa i përket emetimeve globale, Italia renditet e 24-ta, me emetime të vlerësuara prej 434,92 Mt të CO 2, me një rënie prej 1,74% krahasuar me një vit më parë, emetimet për frymë prej 7,32 (-7,1%) dhe një total emetimesh të barabartë me 0.71% të emetimeve globale.
Për krahasim, Kina është përgjegjëse për 28,14% të emetimeve globale, SHBA për 10,91%, India për 6,47%, Rusia për 5,76%, Gjermania për 1,32%.
Së bashku me vlerësimet e emetimeve në nivel vendi, matja tregon se si emetimet kanë ndryshuar nga viti në vit që nga viti 2015 (në përgjithësi dhe sipas sektorëve), përveç të dhënave për emetimet për frymë.Megjithatë, ambientalistët denoncojnë: "Ka mbi 1700 lobistë të fosileve të pranishëm" në COP në Baku.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.