Nga Gazeta Si - Ballkanit do të mbetet përgjithmonë me sa duket një pjesë e “keqe” e Europës ku luftërat, padrejtësitë politike dhe mëndjengushtësia, do t’i mbajë peng të së shkuarës dhe me flamurin e të vjetrës, do të përpiqen të triumfojnë përpara. Një tjetër shfaqe që na kujton këtë gjë ishte stadiumi Kombëtar i Bukureshtit mbrëmjen e djeshme.
Pasi policia rumune kishte ndaluar dhe arrestuar disa tifozë serb me parrulla dhe harta të modifikuara në favor të politikës së tyre, u duk se gjithçka, më në fund, mes Rumanisë që nuk e njeh si shtet Kosovën dhe Dardanëve do të kishim një ndeshje thjesht futbolli, një garë sportive.
Por gjithçka rezultoi të ishte një farsë. Në pamundësinë e arritjes së një rezultati pozitiv, apo siç e prisnin tifozët rumunë dhe vallëzimit të një futbolli mjaft të bukur të shqiptarëve të Kosovës në mes të Bukureshtit, duke dominuar kundërshtarët dhe duke i lënë vetëm fatin në favor që nuk pësuan gol, mjaftoi një debat fushë për të çjerrë maskën.
Minuta e 93-të e ndeshjes vetëm 1 minutë nga fundi i takimit që po mbyllej në barazim dhe një debat mes kapitenit dardan Amir Rrahmani dhe rumunit Albek, i shpërfytyroi tifozët duke i nxjerrë në origjinë, me thirrjet “Serbia, Serbia…” si për të luajtur me nervat e atyre djemve që kishin rezistuar në 90 minuta.
Mes presionit se diçka mund të ndodhë, në aspektin josportiv dhe në atë sportiv, që i kërkohet nga një traner gjerman si Franco Foda, apo edhe me emocionin e mijra tifozëve shqiptarë që i ndiqnin, dhe që të gjithë ishin në një mendje se Kosova duhet ta fitonte takimin, por nuk pati fat.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve rraciste, apo edhe hedhjeve të sendeve në fushën e lojës nuk mund të bënin më tepër se sa ndërprerjen e ndeshjes dhe hapat janë të parashikuara në rregullore, se cilat janë kushtet dhe se si ndërmerren masat në varësi të situatës. Abandonimi i fushës nga futbollistët e përfaqësueses së Kosovës me shumë gjasë i ka sjellë humbjen e një ndeshjeje në tavolinë me shifrat 3-0 në favor të ekipit rumun.
Nëse të gjithë po mendojmë për analogji të ngjarjes së Beogradit të 14 tetorit 2014-të, Serbi-Shqipëri, pak gjëra kanë të përbashkëta. Në Beograd ndërprerja erdhi për shkak të dronit dhe më pas futja në fushën e lojës së tifozëve, një vendim ky edhe i arbitrit pasi tifozët e futur në fushë rrezikuan jetën e lojtarëve shqiptarë. Por edhe në ato kushte ekstreme, kur flitej për jetën dhe jo se si mbaron ndeshja, delegatët e ndeshjes dhe vetë arbitri tentoi në disa raste të riktheheshim në lojë, duke propozuar të zbrazej edhe i gjithë stadium nga tifozët, ashtu siç u zbraz dje në Bukuresht. Sigurisht në Beograd ishte minuta e 42-të e takimit, ndërsa kjo ngjarje në Bukuresht ndodhi në minutën e fundit të shtesë, mbi 90-minutëshin.
Pavarësisht gjithçkaje, UEFA ja dha në favor ndeshjen Serbisë, pasi u konsideruar, ashtu si edhe në Rumani, braktisje e fushës së lojës. Më pas ishte Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (KAS) i Lozanës që na dha të drejtë, edhe e përmbysi në favorin tonë. Por ndryshe ndodhi në Bukuresht, kushtet nuk ishin ekstreme, nuk pati futje të tifozëve në fushë dhe as dhunim të lojtarëve nga persona të jashtëm, tribuna u zbraz, skuadrës së Kosovës ju dha mundësia të qetësohej dhe të rikthehej në fushë për të luajtur të paktën edhe një minut lojë, gjë që nuk ndodhi, por ama, për zyrtarët, për delegatin e ndeshjes dhe arbitrin që u rikthye në fushë dhe bashkë me të edhe ekipi rumun, duke vërshllyer 3 herë që sinjalizoi mbylljen e ndeshjes, ishte pikërisht një vendim i qartë ndeshjen e “abandonoi” Kosova dhe ekipi vendas për 1 minut të mbetur konsiderohet fituesi i ndeshjes në tavolinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.