Gazeta Si - Një skandal i regjistruar në stadiumin e Rumanisë, bëri që Kosova të braktisë ndeshjen, para se ajo të mbyllej nga arbitri.
Në fundin e takimit, kur rezultati ishte 0-0 një përplasje shpërtheu mes lojtarëve të dy përfaqësueseve në fushë.
Në momentet e tensionit, u përfshinë edhe tifozët vendas, të cilët shpërthyen në thirrje anti-shqiptare. Në stadiumin e Bukureshtit dëgjoheshin thirrjet: “Serbia, Serbia.”
Menjëherë pas kësaj, në shenjë proteste kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, urdhëroi skuadrën të largohet nga fusha.
“Dardanët” refuzojnë të rikthehen në fushë, për shkak të thirrjeve anti-shqiptare dhe janë në pritje të një vendimi nga UEFA.
Kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, i cili mori vendimin për largimin e skuadrës nga fusha për shkak të thirrjeve antishqiptare, ka folur pas braktisjes së ndeshjes me Rumaninë.
“Gjithçka filloi para ndeshjes. Rumania bëri fushatë që tifozët të mos bënin thirrje raciste. Por, gjatë gjithë ndeshjes na kanë thënë Kosova është Serbi”, u shpreh Rrahmani.
Ai theksoi se morën vendimin për të mos u kthyer më në fushën e blertë, pasi tifozët rumunë filluan të bërtasin gjithnjë thirrje raciste.
“Në fund, nuk dua as ta përsëris atë që ndodhi. I thashë arbitrit, por ai nuk donte të dëgjonte. Dhe i thashë që do të largohemi nga fusha, sepse ai nuk dëshiron të ndërmerrte asnjë veprim. Tifozët filluan të bërtasin gjithnjë e më fort dhe ne vendosëm të mos ktheheshim në fushë. UEFA duhet të vendosë, sepse jemi futbollistë, jemi për të përfaqësuar këtu popullin tonë, shtetin tonë që ka të kaluar të vështirë. Një luftë e madhe ka marrë jetën e njerëzve, ka pasur masakra. Kjo është e tepërt. Ndaluni. Ta dinë të gjithë se Kosova është Kosovë ose Kosova është Shqipëri, kaq!”, theksoi futbollisti.
Ky nuk është incidenti i parë mes dy skuadrave, pasi edhe më parë në takimet mes tyre ka pasur ndërprerje të takimit për shkak të incidenteve nga tifozëria rumune, gjatë eleminatoreve për Evropianin e kaluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.