Nga Gazeta 'SI' - Komisioni Europian pret një rritje më të ngadaltë të ekonomisë së Shqipërisë për vitin 2025 dhe 2026, respektivisht 3.6 dhe 3.5%.
Në raportin e vjeshtës, KE thekson se Shqipëria nuk pritet të ketë më rritje domethënëse të turistëve si në vitet e shkuara dhe do të ketë një reduktim të konsumit privat dhe publik.
Ekonomia e Shqipërisë vijon të jetë e ekspozuar nga risqe që lidhen me luhatshmërinë e kursit të këmbimit, rritjen e mungesës së fuqisë punëtore të kualifikuar e rënduar nga emigracioni dhe një rishfaqje e mundshme e presioneve inflacioniste, sipas Komisionit Europian.
Sipas raportit, rritja ekonomike vazhdoi të jetë e fortë në vitin 2024 e nxitur nga konsumi privat dhe një sezon i mirë turistik. Pas katër viteve të ritmeve të larta të rritjes, rritja e PBB-së pritet të zbutet në 3.6% në 2025 dhe 3.5% në 2026 pasi konsumi familjar dhe publik pritet të ngadalësohet.
Pas një rënieje të shpejtë në vitin 2024, inflacioni pritet të kthehet gradualisht në objektivin prej 3% të bankës qendrore gjatë vitit të ardhshëm. Deficiti fiskal pritet të zgjerohet pak përpara se të bjerë në 2% të PBB-së në vitin 2026. Raporti i borxhit publik ndaj PBB-së parashikohet të ulet gradualisht, i nxitur nga rritja nominale e PBB-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.