Nga Gazeta ‘Si’- Pas Bekim Balajt, Gazetasi.al ka mësuar se edhe Odise Roshi ka vendosur t’I japë lamtumirën kombëtares.
33-vjeçari fierak i cili aktualisht luan me Erzurumsporin në kategorinë e dytë turke ka zhvilluar gjithsej 70 ndeshje me kombëtaren dhe ka shënuar 5 gola. Ai debutoi më 7 tetor të vitit 2011-të ndërkohë që ndeshja e tij e fundit ku ai është aktivizuar ka qenë miqësorja me Italinë në stadiumin “Air Albania”, ndeshja e fundit edhe e ekipit tonë nën drejtimin e trajnerit Italian Edi Reja.
Me brazilianin Sylvinho mesfushori kuqezi është grumbulluar vetëm një herë, në ndeshjen e fundit ndaj Polonisë në eliminatoret e Kampionatit Europian ku kuqezinjtë fituan me shifrat 2-0, por që nuk pati asnjë minutë në atë takim. Një vendim i tij që vjen menjëherë pas atij të bekim Balaj, që veç shok skuadre, të dy janë dhe miq shumë të ngushtë jashtë futbollit.
Kështu një ditë më parë Bekim Balaj vendosi të tërhiqet nga Kombëtarja shqiptare. Sulmuesi kuqezi, i cili aktivizohet në kampionatin “Abissnet Superiore” me Vllazninë, i ka komunikuar vendimin e tij trajnerit Silvinjo, stafit teknik dhe Federatës së Futbollit.
Gjatë karrierës së tij me Kombëtaren kuqezi, Bekim Balaj, u aktivizua në 48 ndeshje, duke shënuar 9 gola. I pari është edhe më i veçanti, pasi realizimi ndaj Porugalisë dhe fitorja historike e Shqipërisë me golin e Bekim Balajt në “Estádio Municipal de Aveiro” bëri krenar të gjithë shqiptarët kudo në botë, duke i hapur rrugën kualifikimit të parë historik të Kombëtares në Europianin “Francë 2016”.
Gjithashtu, Balaj ishte pjesë e Kombëtares në atë Europian ku u aktivizua në fitoren ndaj Rumanisë me rezultatin 1-0.
Federata e Futbollit falënderon sulmuesin Bekim Balaj, për kontributin e jashtëzakonshëm të dhënë në fushën e lojës me fanellën kuqezi, i cili ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar dhe i uron sa më shumë suksese në të ardhmen.
Për të dy këta lojtarë do të ketë një ceremoni përmbyllëse të karrierës në ndeshjen e radhës më 16 nëntor në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku Shqipëria do të luaj përballë Republikës Çeke, ndeshja e parafundit e grupit në kuadër të Ligës së Kombeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.